Kisha, specialiste e njerëzimit, nuk mund të heshtë përballë tragjedive të emigracionit.
(25.06.2009 RV)Nën dritën e mesazhit
të krishterë Kisha mbron dinjitetin e qenies njerëzore dhe inkurajon frymën e mikpritjes
dhe të solidaritetit. Në një kohë kur politikat e emigracionit janë në qendër të debateve
- e jo vetëm në Europë - shtetet duhet t’i japin udhë emigracionit dhe të vënë rregull
duke respektuar dinjitetin njerëzor dhe Konventat ndërkombëtare. Këto thekson ndër
të tjera kryeipeshkvi Antonio Maria Veljò, i cili që nga shkurti i këtij viti është
president i Këshillit Papnor i Baritorisë për Emigrantët dhe Endacakët. Le ta ndjekim:
Pyetje:
Imzot, tema e emigracionit, e integrimit dhe e sigurisë sot për sot janë më shumë
se kurrë në qendër të debatit politik dhe kulturor në shumë shtete europiane. Cili
është dhe duhet të jetë roli i Kishës në këtë kontekst? Si mendoni ju?
Përgjigje:
Kisha ka qenë gjithmonë në krah të emigrantëve, veçanërisht atje ku ardhja e emigrantëve
shkakton situata dramatike, e nganjëherë, madje edhe skllavëri të reja. Mjafton të
themi se zëri i Kishës sot po ngrihet me forcë në Amerikën Veriore, ku çdo vit llogaritet
se shkojnë afro një milion e gjysmë persona, mbi të gjitha nga Amerika Latine dhe
nga ajo Qendrore; në Europë ku çdo vit vijnë rreth 800 mijë emigrantë, apo në Oqeaně,
ku ka afro 90 mijë emigrantë në vit. Përballë kësaj dukurie Kisha tregon një kujdes
të posaçëm baritor, sepse ajo vëren se aty kemi të bëjmë me gra e burra, pleq e fëmijë
e jo thjeshtë me shifra e numra. Si mundet Kisha – e cila është “specialiste e njerëzimit”
sikurse e ka quajtur Papa Pali VI – të heshtë përballë tragjedive të emigracionit,
qoftë ky i vullnetshëm apo i bërë me dhunë? Kisha mbron dhe promovon dinjitetin e
njeriut pavarësisht nga statusi juridik që ai ka, qoftë ky i rregullt apo i parregullt.
Kështu që Kisha gjendet përballë shumë sfidave. Në radhë të parë është
sfida sociale: Kisha është e impenjuar në zgjidhjen e problemeve të strehimit, të
mungesës së ushqimit dhe të strukturave të mikpritjes. Është e impenjuar me problemin
e trafikut të qenieve njerëzore, shfrytëzimin etj. Ndërsa në planin fetar e baritor
është kuptueshme se duke qenë grupet etnike të shumta dhe të copëzuara, nuk është
e thjeshtë t’u shërbehet ashtu siç duhet. Këtyre u shtohet edhe problemi i edukimit
fetar i fëmijëve, si edhe mungesa e strukturave baritore që t’u përgjigjen kërkesave
të tyre të ligjshme. Kisha është e bindur se integrimi është i nevojshëm dhe i domosdoshëm
për të favorizuar pastaj edhe mirëqenien e të gjithëve, duke respektuar ligjet.
Pyetje:
Gjatë homelisë suaj për Festën e Popujve të 17 majit që porsa kaloi, ju i bëtë thirrje
bashkësisë së krishterë, politikanëve, atyre që janë përgjegjës për mjetet e informacionit
dhe të gjithë shtetasve që t’i shohin me sy tjetër emigrantët. E kishit fjalën për
një ndryshim qëndrimi?
Përgjigje: Të gjithë e shohin me sytë e tyre
se jetojmë në epokën e globalizimit, por kjo gjë vë në pah një paradoks të çuditshëm:
nga njëra anë është shpejtuar liria e transferimit e të mirave materiale dhe të kapitaleve,
por nga tjetra pengohet lëvizja e lirë e personave, duke vënë në rrezik atë të drejtë
themelore për njeriun që quhet “liria e lëvizjes”. Kultura e tregut kur bëhet fjalë
për kapitalet funksionon mirë, por kur bëhet fjalë për lëvizjen e lirë të personave
ngec në vend. Atëherë flitet për riatdhesime, për kuota hyrjeje për emigrantët dhe
për dëbime. Pra, nëse është e drejtë që të ripohohet e drejta e shteteve për ta drejtuar
dhe organizuar emigracionin, duhet edhe saktësuar se secili shtet duhet të parashikojë
norma të qarta e të marrë masa të zbatueshme për hyrjen e emigrantëve në mënyrë të
rregullt, sipas ligjit. Duhet që shteti të vigjilojë mbi tregun e punës, mbi të gjitha
për të luftuar ata që shfrytëzojnë punën e zezë dhe jo ata që janë viktimat e kësaj
pune. Fatkeqësisht në vendet e pasura ndodh që të pasurit mbrohen nga të
varfërit duke u përpjekur t’i zvogëlojnë lëvizjet e tyre ose edhe t’i pengojnë shpërnguljet
e tyre. Kështu përhapet një retorikë e re në nivelin kulturor, e cila i quan emigrantët
përgjegjës të krizave shoqërore dhe të frikës së re kolektive, e jo rrallëherë madje
edhe si kërcënim ndaj identitetit kombëtar.