2009-06-25 15:12:35

Kardinali Franc Rodè pas kthimit nga Bosnja: vendi është në rrezik islamizimi


(25.06.2009 RV)RealAudioMP3 Bosnja po islamizohet: këtë nënvizon kardinali Franc Rodè, pas kthimit nga vizita në vendin ballkanik, e cila u zhvillua nga 19 deri më 21 qershor. Prefekti i Kongregatës për Institutet e Jetës së Shuguruar dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike ka qenë në kryedioqezën e Sarajevës, me ftesë të kardinalit Vinko Puljiç e në dioqezën e Banja Lukës, me ftesë të imzot Franjo Komaricës. Në mikrofonin tonë, kardinali ndalet mbi gjendjen e katolikëve në Bosnjë:
Numerikisht janë zvogëluar shumë. Për shembull, në dioqezën e Banja Lukës, para luftës së 91-95-ës, katolikët ishin 150 mijë, tani arrijnë në 35 mijë. Pjesa më e madhe është larguar, pasi shtëpitë u janë djegur, por edhe nga presioni, nga frika për jetën. Shumë katolikë kanë shkuar në Kroaci, ose në vende më të largëta si Australia, Kanadaja e Zelanda e Re.
Hirësi, kjo ka ndodhur vetëm në Banja Luka, apo edhe në vende të tjera?
Mund të thuhet e njëjta gjë për Sarajevën. Sarajeva është një qytet me 600 mijë banorë, ku katolikët janë vetëm 17 mijë, pra është kthyer në qytet mysliman. Xhamitë e ndërtuara gjatë këtyre viteve të fundit janë mëse njëqind, edhe në fshatra ku nuk kanë ekzistuar më parë. Pra, kemi të bëjmë me vullnetin për të islamizuar rajonin e Sarajevës, siç ekziston edhe vullneti për ta kthyer Republikën Serbe të Bosnjës në një vend ortodoks, ku qeveria ndërton kisha ortodokse – shumë të bukura – por ekziston një politikë identifikimi me fenë. Serbët, edhe këta që më parë ishin anëtarë të Partisë Komuniste, sot jetojnë qetësisht e hapur si ortodoksë.
Kush ka vuajtur më shumë gjatë luftës që përfshiu vendin?
Viktimat më të mëdha të kësaj lufte janë katolikët. Kanë humbur shumë kisha, që janë shkatërruar, djegur, shumë kuvende janë rrafshuar, shumë meshtarë, rregulltarë e rregulltare janë vrarë. Vuajtja është e madhe. Por, duhet të them se atmosfera që gjeta në Banja Luka, e në veçanti, në Sarajevë nuk është me pesimizëm apo çkurajim, por me vendosmërinë për të qëndruar aty, për të dëshmuar Ungjillin e për të ofruar shërbimet, që Kisha u jep jo vetëm katolikëve, por edhe ortodoksëve e myslimanëve. Madje në Banja Luka po mendohet për një universitet katolik, karakteristika e të cilit të jetë dialogu ndërfetar. Shpresojmë që kjo ide e madhe e imzot Franjo Komaricës të realizohet.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.