2009-06-24 16:59:23

Turneu i kryeministrit izraelit në Evropë


(24.06.2009 RV)RealAudioMP3 Kryeministri izraelit, Benxhamin Netanijahu ka filluar që dje vizitën në Evropë, në kërkim të konsensusit për propozimet e tij përsa i përket procesit të paqes në Lindjen e Mesme. Dje në Itali, Netanijahu deklaroi se paqja do të arrihet, nëse do të dobësohet regjimi i Teheranit. Sot, ai ndodhet në Francë, ku ka anulluar takimin e nesërm me të dërguarin personal të presidentit amerikan Obama për Lindjen e Mesme, Xhorxh Miçëll. Mbetet pra akoma i lartë tensioni ndërmjet Izraelit e SHBA-ve, pas kërkesës së administratës Obama për pezullimin e ndërtimeve në kolonitë hebraike të Çisjordanisë. Miçellin do ta takojë të hënën në Uashington lideri laburist izraelit, Barak, përgjegjës për Çisjordaninë. Por për turneun evropian të Netanijahut të dëgjojmë komentin e profesoreshës së historisë dhe të institucioneve të Lindjes së Mesme në Universitetin e Bolonjës, në Itali, Marçela Emiliani:
Qëllimi që ka (Netanijahu) është të krijojë konsensus rreth planit për pranimin e një shteti palestinez, por të çmilitarizuar, gjë që refuzohet nga palestinezët, pasi një shtet i çmilitarizuar do të thotë se heq dorë nga sovraniteti i vet. Kam përshtypjen se Netanijahu po kërkon në Evropë, atë që i mohohet nga administrata amerikane, e vendosur të punojë për krijimin e një shteti palestinez sovran. Duke parë se ç’po ndodh në Iran, me zgjedhjen e manipuluar të presidentit Ahmadinexhad, Netanijahu ka ndërmend të koalizojë një grup shtetesh, që ta konsiderojnë Iranin si më të rrezikshmin në zonë.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.