2009-06-24 18:53:28

Papa në audiencën e përgjithshme flet për Vitin Meshtarak dhe bën thirrje për lirimin e pengjeve të luftës.


(24.06.2009 RV)RealAudioMP3 Në audiencën e sotme të përgjithshme, Papa bëri thirrje për lirimin e Eugjenio Vanjit dhe të gjithë njerëzve të rrëmbyer në zonat e luftës. E sot, që kremtohet ditëlindja e njërit nga shenjtorët më të nderuar të Kishës katolike, Shën Gjon Pagëzuesit, Benedikti XVI shpjegoi arsyet e shpalljes së një viti të veçantë, kushtuar meshtarëve, Vitit Meshtarak. E, para se të ndahej me besimtarët e shtegtarët e shumtë, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit për audiencën, Ati i Shenjtë kujtoi se 150 vjet më parë lindi ideja për themelimin e Kryqit të Kuq ndërkombëtar dhe u shprehu afërsinë e tij të gjithë fëmijëve, viktima të dhunës në botë.

 
“Uroj që njeriu, me dinjitetin e me të gjitha vlerat e veta, të jetë gjithnjë në qendër të vëmendjes në impenjimin humanitar” – kështu u shpreh Papa, duke rikujtuar idenë për një mobilizim të madh e të përgjithshëm, në ndihmë të viktimave të luftës, që pati zvicerani Hanri Dynant gjatë betejës së Solferinos, më 24 qershor 1859, nga e cila lindi, më pas, Kryqi i Kuq ndërkombëtar. Prej këndej, Benedikti XVI i inkurajoi të gjithë, posaçërisht të rinjtë, të impenjohen konkretisht për t’i dhënë ndihmesën e tyre këtij institucioni të mirënjohur. Më pas, thirrja:
“Përfitoj nga kjo rrethanë për të kërkuar lirimin e të gjithë njerëzve të rrëmbyer në zonat e konfliktit e, edhe një herë, lirimin e Eugjenio Vanjit, punonjës i Kryqit të Kuq në Filipine”.
Më pas, duke iu drejtuar delegacionit të OKB-së, kryesuar nga Radhika Komarasuami, zevendës-sekretar dhe përfaqësues i posaçëm për fëmijët në situata konflikti, i pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, Benedikti XVI kujtoi të gjithë fëmijët që vuajnë, që lihen në mëshirën e fatit, që dridhen nga frika, kanë uri, vuajnë nga sëmundjet e vdesin pa iu rritur mirë shtati:
“Papa është pranë gjithë këtyre viktimave të vogla e i kujton gjithnjë në lutje”.
Në katekizëm, Ati i Shenjtë shpjegoi arsyet e shpalljes së një viti të posaçëm kushtuar meshtarëve, të cilin e përuroi më 19 qershorin e kaluar, për kujtim të Shën Gjon Maria Vianejt, Famullitarit të Arsit, vdekur 150-vjet më parë. Po kush ishte Shën Gjon Vianej? Kësaj pyetjeje iu përgjigj Papa gjatë katekizmit, që kishte në qendër të vëmendjes pikërisht këtë katundar të varfër, që u bë famullitar i përvujtë në një fshat të vogël të Francës e që, në dukje, nuk bëri asgjë të jashtëzakonshme. Por në se thellohemi në jetën e tij, do të vërejmë se, ashtu si Shën Pali, ai diti të jetonte në bashkim të plotë me Krishtin e ta kryente misionin e bariut të shpirtrave, si të ishte vetë Bariu i Mirë. Tërë jetën u përpoq të arrinte përsosurinë shpirtërore. E këtë duhet ta kenë mirë parasysh të gjithë meshtarët e kohëve tona, që të jenë “shërbëtorë”, e jo ‘pronarë’ të Fjalës ungjillore:
“Në një botë, në të cilën vizioni i përgjithshëm i jetës e përfshin gjithnjë më pak shenjtërinë, në vend të së cilës vë ‘fuksionalitetin’, që bëhet kategoria e vetme e kryesore, ka rrezik që koncepti katolik i meshtarisë ta humbasë kuptimin e natyrshëm, nganjëherë edhe brenda vetëdijes kishtare”.
Papa vijoi të shpjegonte se në mjediset teologjike, ashtu si dhe në praktikën baritore, vihen ballpërballë e nganjëherë edhe kundërvihen dy konceptime të ndryshme të meshtarisë: ai shoqëror-funksional, i bazuar mbi konceptin e shërbimit ndaj bashkësisë e ai sakramentor-ontologjik i cili, pa e mohuar shërbimin, e shikon meshtarinë si dhuratë që jep Zoti përmes Kishës. E tregon këtë vetë fjala, që ka kuptimin ‘shërbim, minister, detyrë’. Nuk janë koncepte që i kundërvihen njëri-tjetrit – sqaroi Benedikti XVI – atje ku tensioni, ndonëse ekziton, zgjidhet brendapërbrenda:
“Famullitari Shenjt i Arsit përsëriste shpesh me lot në sy: “Sa e tmerrshme është të jesh prift! E shtonte: “Sa ia qaj hallin priftit, që e kremton Meshën si të ishte një gjë e zakonshme! Sa fatkeq është prifti pa jetë shpirtërore!”.
Uroj që Viti Meshtarak – tha në përfundim Benedikti XVI – t’i nxisë të gjithë meshtarët të bëhen një me Krishtin e kryqëzuar e të ngjallur.







All the contents on this site are copyrighted ©.