2009-06-24 18:53:54

Dita e dytë e takimit të Roako-s, kushtuar Kishës bullgare. Intervistë me imzot Proikov.


(24.06.2009 RV)RealAudioMP3 Realiteti i Kishës katolike bullgare ishte në qendër të vëmendjes në ditën e dytë të takimit të Roako-së, që përfshin Veprat e Ndihmës për Kishat Lindore. Gjatë takimit të paradites së sotme, u nënvizua se pas rënies së komunizmit, Kisha në Bullgari po ngrihet përsëri në këmbë, ndonëse dalëngadalë. Për këtë rrugë të re, në të cilën po ecën Kisha katolike bullgare flet, në mikrofonin tonë, imzot Kristo Proikov:

Përgjigje: - Kisha në Bullgari është vërtetë realitet i vogël. Kemi qenë gjithnjë 1% e popullsisë, e cila tani numëron 98 milionë banorë. Kemi tri dioqeza, dy latine e një lindore. Me ndihmë të Zotit, dalëngadalë, pas periudhës së ateizmit komunist - që zgjati 50 vjet – Kisha po ngrihet përsëri në këmbë. Është një proces shumë i vështirë, sepse gjatë regjimit u shtetëzuan të gjitha pasuritë. E sot detyra e dorës së parë është riedukimi në fe, sepse gjatë regjimit u mbyllën të gjitha seminaret e shkollat katolike. Dy brezni janë rritur pa katekizëm, me dijeni të pakta për fenë. Meshtarët katolikë bullgarë janë shumë pak e do ta kishim tejet vështirë, në se nuk do të na ndihmonin meshtarët e rregulltarët misionarë. Gjithsesi e ardhmja premton. Mjafton të kujtojmë se kemi shumë kandidatë të rinj bullgarë për meshtari e se sivjet do të shugurohen gjashtë prej tyre. Janë bullgarë, e kjo ka rëndësi të dorës së parë. Shugurimi i tyre tregon se Kisha vendase po nis të rritet.

Pyetje: - Ç’mund të na thoni për jetën e katolikëve bullgarë, posaçërisht të meshtarëve, gjatë regjimit komunist?

Përgjigje: - Regjimi në vitet ’60, ishte në kulm, meshtarët dilnin nga burgu tejet të ligështuar. Shumë prej tyre vdisnin pak ditë pas lirimit. Pikërisht në këtë kohë ndjeva thirrjen për rrugën e meshtarisë, kohë kur mendonim se komunizmi do të ishte i përjetshëm. Mendova atëherë se Kisha është edhe më e përjetshme e unë duhet t’i dhuroja jetën time. Nisa të studioj fshehurazi e arrita të bëhem meshtar në vitin 1971, kur regjimi ishte ende në fuqi. Ipeshkvi që më shuguroi u thirr menjëherë nga policia, por nuk u tremb. Mbeti gjithnjë shembull për të tjerët.







All the contents on this site are copyrighted ©.