2009-06-23 17:59:42

Vijojnë në Iran protestat kundër Ahmadinexhadit dhe votimeve të parregullta.


(23.06.2009)RealAudioMP3 Votimet presidenciale në Iran janë të rregullta dhe nuk do të përsëriten. Kështu vendosi Këshilli i Rojeve, organi suprem ligjvënës në Iran. Sipas këtij këshilli Ahmadinexhadi ka fituar këto zgjedhje me 62,63 % ndërsa Musavi ka marrë vetëm 33,75% të votave. Rezultate këto që çuditën ekspertët të cilët prisnin që fituesi të ishte pikërisht Musavi. E ndërsa mjetet zyrtare të shtypit njoftuan se Ahmadinexhadi do të bëjë betimin për mandatin e dytë në një datë që shkon nga 26 korriku deri nga 19 gushti, në vend vazhdojnë protestat masive.
“Protestat në Iran janë fillimi i ndryshimeve”. Kështu u shpreh për shtypin zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Robert Gibs, cili nuk harroi të nënvizojë se ndonëse presidenti Barak Obama po i ndjek me vëmendje zhvillimet e fundit nuk do ta mbështesë grevën e përgjithshme organizuar nga opozita në Iran.
Dënim për dhunën në Iran kanë shprehur edhe shtete e organizma ndërkombëtare. Përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Jashtme të BE-ian Havier Solana shprehu mospajtim me dhunën e ditëve të fundit në Teheran. “Prisnin që zgjedhjet në Iran të ishin diçka që do të çmohej nga bashkësia ndërkombëtare. Fatkeqësisht ajo që pamë qe diçka krejtësisht e ndryshme” tha për gazetarët Solana.
Po ashtu kritika për situatën e krijuar në vend shprehu edhe Sekretari i Pergjithshem i OKB-së Ban Ki Mun, i cili u bëri thirrje autoriteteve iraniane që të ndalohen arrestimet, kërcënimet dhe përdorimi i dhunës. Pikërisht për këto kërkesa, Teherani e akuzoi Ban Ki Mun se po ndërhyn në punët e brendshme të këtij shteti. Gjithashtu për gjendjen e krijuar Irani akuzoi në veçanti dy mjete informacioni, radion Zëri i Amerikës për Persinë dhe BBC, se janë frymëzuesit dhe nxitësit e demonstruesve.
Ndërkaq Suedia dhe Franca thirrën sot ambasadorët e tyre në Iran duke shprehur kështu shqetësim për situatën në vend.







All the contents on this site are copyrighted ©.