Rreshtat e fundit të gazetarit iranian Mohamed Guçani përpara arrestimit nga policia.
(23.06.2009 RV)“Të bëhesh gazetar për brezin tonë qe e thjeshtë, por të mbetesh
i tillë është me të vërtetë e vështirë. Për ne është një dëshirë e paarritshme të
plakemi duke kryer këtë detyrë. Ah sikur të plakeshim të tillë! Ah, sikur të vdisnim
në redaksinë tonë! Ah, sikur im atë, i cili ende shpreson që të më shohë duke bërë
dy punë, krahas asaj të gazetarit edhe një punë tjetër në ndonjë zyrë, ministri apo
shoqatë, ah sikur ai të bindej se unë zanatin e kam, prej vitesh madje! Ah, sikur
redaksitë e mia të mos i bënin rrafsh me tokën, atëherë do t’i tregoja tim eti se
unë punoj, se nuk po luaj por se jam duke bërë punën e gazetarit.” Kjo është një
pjesë marrë nga artikulli i fundit që arriti të shkruaj gazetari iranian Mohamed Guçani,
drejtor i së përditshmes “Etemad e Meli” përpara se t’i hidhnin prangat të shtunën
në mëngjes. “Sot për sot të mbetesh gazetar është bërë diçka e vështirë. Për disa
ky profesion është një pikaarritje, për disa një instrument, për disa të tjerë një
ndalesë e ndërmjetme dhe prap për disa të tjerë është shtëpia e mbramë. Por a mundesh
të mbetesh ende gazetar sot, kur ke përpara qelitë, censurën, rrogat e vogla, sot
pra, a mund të mbetesh gazetar?” Kështu shkruan më tej në artikullin e fundit të tij
gazetari Guçani. “Ne brezi i tretë i Iranit, jemi më të ndërgjegjshmit për vdekjen,
ndaj nesh ka edhe më shumë shpifje. Jemi dëshmitarë të njerëzve të cilët nuk mund
të parashikojnë as atë çka mund të ndodhë pas një minuti në jetën e tyre, rrëfen gazetari
iranian. “Të ardhmen tonë nuk e qeverisë as logjika, as ndjenja njerëzore e as mëshira.
Askush nuk e di të ardhmen e vet, por ama, kushdo mund ta parashikojnë apo ta
programojnë të ardhmen personale. Kushdo, përveç nesh! Shkojmë në redaksi çdo ditë
por nuk e dimë a do të na zërë e nesërmja. A mos vallë dini ndonjë zanat tjetër në
të cilin për gabimin më të vogël që bën të gjithë nëpunësit dënohen me litar? – vijon
Mohamed Guçani. Apo për fajin e vetëm të njërit të pushohen nga puna të gjithë të
tjerët? Apo kur për një akuzë të dhjetë vjetëve më parë - e kur i ke kryer ato dhjetë
vjet burgim - të dënojnë edhe me dhjetë vjet të tjera, po për të njëjtën akuzë. Vetëm
ajo ditë, kur t’i shohim gazetarët duke vdekur nga pleqëria në shkritoret tyre, ajo
do të jetë dita e jonë më e lumtur. Vetëm atë ditë kur të vdesim si gazetarë, do të
kuptojmë se kemi jetuar si gazetarë. Pra, përveç vdekjes, brezit tim mos i uroni asgjë
tjetër, sepse ajo ditë do të jetë dita e lirisë së shtypit në Iran”, përfundon gazetari
Mohamed Guçani.