2009-06-23 18:43:39

Nevoja e dialogut ndërmjet të krishterëve dhe myslimanëve në seminarin e Qendrës “Oasis” të Venedikut


(23.06.2009 RV)Rëndësia e traditës dhe nevoja e dialogut ndërmjet të krishterëve e myslimanëve qenë temat e seminarit të organizuar nga Komiteti ndërkombëtar i Fondacionit “Oasis”, që u mbajt dje e sot në Venedik të Italisë. Një nga diskutimet më të rëndësishme qe pa dyshim ai i kardinalit Zhan-Lui Turan, kryetar i Këshillit Papnor për dialogun ndërfetar. “Të krishterë e myslimanë, jemi të ‘dënuar’ të dialogojmë” – vërejti kardinali. “Islami shkakton frikë. Për shumë vetë ai reduktohet në fanatizëm, në luftën e shenjtë (Xhihad), në terrorizëm, në poligami, në prozelitizëm”, por “nuk duhet pasur frikë”, shtoi, “pasi ai që takojmë nuk është thjesht një sistem fetar, por njerëz, burra e gra që ndajnë me ne të njëjtin fat”. Sipas kreut të Vatikanit për dialogun ndërfetar, elementet që e dallojnë krishterimin nga Islami janë të ndryshme: “marrëdhëniet me Shkrimin Shenjt; koncepti i zbulesës; figura e Jezusit; Trinia Shenjte; përdorimi i arësyes; lutja”. Megjithatë, kemi edhe shumë gjëra të përbashkëta: “njëninë e Zotit; shenjtërinë e jetës; nevojën për t’u përçuar brezave të rinj vlerat morale; mësimin e fesë në edukim”. Këto janë bazat e dialogut, sipas kardinalit Turan. Për të krishterët e myslimanët paraqitet kështu një sfidë e trifishtë: ajo e identitetit, e ndryshimeve dhe e pluralizmit. E vetmja e ardhme e mundshme, thekson prelati, është e ardhmja e përbashkët, që ndërtohet në familje, në shkollë, në kishë, në xhami. Vetë kryetari i këshillit Papnor për dialogun ndërfetar theksoi sidomos impenjimin shkollor, pasi aty hidhen me të vërtetë bazat e së ardhmes.







All the contents on this site are copyrighted ©.