2009-06-22 16:59:48

Më 28 qershor, zgjedhjet në Shqipëri


(22.06.2009 RV)RealAudioMP3 Afrohen zgjedhjet politike në Shqipëri. Një javë para 28 qershorit, kur shqiptarët do t’u afrohen kutive të votimit, partitë vazhdojnë fushatën zgjedhore, duke bërë premtimet e zakonshme për mirëqënie e salltanete, që akoma nuk shihen, edhe pas 16 vjetësh demokraci. E nuk është e sigurtë që edhe ndryshimet e bëra deri tani, nëse nga njëra anë kanë derdhur para në arkën e shtetit dhe në xhepat e afaristëve e të politikanëve, nga ana tjetër, të kenë siguruar edhe përparimin e vërtetë të vendit.
Gjithsesi, si gjithnjë para zgjedhjeve, politikanët bëjnë punën e tyre, duke thirrur në ndihmë edhe homologët e tyre jashtë shtetit. Kështu, Senati Amerikan ka miratuar një rezolutë, përmes së cilës njeh arritjet demokratike të Shqipërisë. Por senatorët amerikanë nuk harrojnë të bëjnë thirrje për një proces zgjedhor të besueshëm si për popullin, ashtu edhe për partnerët e jashtëm.
Mesazhi ripropozohet nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili kërkon që në ditët e fundit përpara zgjedhjeve, të ruhet klima e qetë dhe të sigurohet një proces zgjedhor pa probleme. Ndërkaq, koalicioni qytetar për një “Parlament të pastër”, i kryesuar nga ish-presidenti Alfred Moisiu, publikon listën e kandidatëve jo të denjë për t’u zgjedhur në Kuvendin e ardhshëm. Janë 21 kandidatë, 5 prej të cilëve të Partisë Republikane, 4 të PD-së dhe PDK-së, 3 të Partisë Socialiste dhe nga një në listat e pesë partive të tjera. Kjo do të thotë se nga 165 emrat e propozuar për garën e 28 qershorit, 15% rezultojnë të papërshtatshëm për të qenë përfaqësues të qytetarëve në legjislaturën e ardhshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.