(21.06.2009 RV)Për Vitin Meshtarak,
i cili sapo filloi, ju propozojmë editorialin e Atë Federiko Lombardit për Octava
Dies, e përjavshme informative e Qendrës Televizive të Vatikanit:
“Shërbimi
meshtarak ka rëndësi themelore në jetën e Kishës. Por nuk është misterqë
sot po kalon jo pak vështirësi. Atmosfera e përgjithshme e shekullarizimit në zona
të gjëra të botës, vlerësimi më i paktë i rolit të meshtarit në shoqëri, plagët e
thella, që iu hapën figurës publike të meshtarëve nga sjelljet e padenja të disave
prej tyre, në një farë mase edhe vetë vlerësimi i drejtë i thirrjeve laikale në Kishë… Papa
nuk përgjigjet me konsiderata socio-fetare, por i nxit të gjithë meshtarët të përtërihen
shpirtërisht, për të dhënë një dëshmi më të fortë e më energjike në botën e sotme.
Me një fjalë, në letrën që u drejton të gjithë vëllezërve në meshtari duke hapur Vitin
Meshtarak, nuk niset nga jashtë, por nga zemra e thirrjes meshtarake, nga modeli
konkret i shenjtërisë meshtarake, nga Famullitari Shenjt i Arsit. Mund të duket gati
si provokim t’u tregosh meshtarëve të mbarë botës si pikë referimi shpirtëror një
famullitar, që jetoi në një fshat të vogël francez me 200 shpirtëra e që vdiq 150
vjet më parë. Por në se meshtari e jeton me të vërtetë Eukaristinë dhe shërbimin e
pajtimit ndërmjet Zotit e njeriut, dmth të shfaqjes së mëshirës së Zotit, koha e vendi
kalojnë në plan të dytë. Në shprehjet e letrës së Papës ndjehet një frymë e thellë
përshpirtërie, një dashuri e pakufishme për Jezusin e për njerëzit, në mënyrë të
posaçme, për ata që janë shpirtërisht larg Zotit ose që kalojnë vështirësi. A s’është
pikërisht kjo dashuri, që kërkon të bëhet e pranishme në zemrën e të gjithë njerëzve,
të cilët sot kanë nevojë urgjente e të tmerrshme për të? Prandaj Papa flet
për meshtarin si dhuratë që i bëhet Kishës dhe vetë njerëzimit. Natyrisht, në se e
jeton thirrjen e tij!".