2009-06-21 17:31:58

Takimi i Papës në Shtëpinë për lehtësimin e vuajtjes: vetëm Zoti mund ta zhdukë të keqen.


(21.06.2009 RV)RealAudioMP3 Pasdite, në orën 16. 30, në Shtëpinë për lehtësimin e vuajtjes, siç quhet spitali i madh në Shën Gjovani Rotondo, ndërtuar sipas idesë së vetë Shën Pios, Papa u takua me të sëmurët dhe personelin mjekësor e administrativ, të cilëve u drejtoi një pëshëndetje prekëse, duke kujtuar një mister që ka të bëjë me të gjithë njerëzit: atë të vuajtjes e të lehtësimit të saj.
“Vend i lutjes e i shkencës, ku gjinia njerëzore e ndjen veten, në Krishtin e Kryqëzuar, si një grigjë e vetme me një bari të vetëm” – kështu e quajti Papa këtë vend, duke kujtuar Atë Pion, i cili donte që në këtë strukturë shëndetësore të gjithë ta kuptonin menjëherë se impenjimi i shkencës për mjekimin e të sëmurit, nuk duhet shkëputur kurrë nga besimi në vullnetin e Zotit të mëshirshëm. Duke e përuruar – shtoi Papa - e quajti ‘krijesë të provanisë e farë të hedhur mbi tokë nga Hyji, që e ngroh me rrezet e dashurisë së tij’.
E në sa vizitonte një vend vuajtjeje e mjekimi, Papa nuk mund të mos prekte përsëri një nga temat më delikate të jetës njerëzore: atë të sëmundjes e të dhimbjes:
Sa herë që hyjmë në një vend mjekimi, mendimi natyrisht shkon te misteri i sëmundjes e i vuajtjes, tek shpresa e shërimit e vlera e pallogaritshme e shëndetit, për të cilin shpesh kujtohemi vetëm atëherë kur na mungon. Në spitale preket me dorë vlera e jetës sonë, por edhe brishtësia e saj. Sipas shembullit të Jezusit, që përshkonte mbarë Galilenë, duke mjekuar çdo lloj sëmundjeje e ligështie në popull, Kisha, që në zanafillën e vet, e frymëzuar nga Shpirti Shenjt, e konsideroi si detyrë e privilegj, të jetë gjithnjë pranë njeriut që vuan, duke u kujdesur në mënyrë të veçantë për të sëmurët”.
Sëmundja, që shfaqet në shumë forma e godet në mënyra nga më të ndryshmet, bën të lindin disa pyetje shqetësuese: Pse vuajmë? A mund të quhet pozitive përvoja e dhimbjes? Kush mund të na çlirojë nga sëmundja e nga vdekja? Pyetje themelore, të cilat nganjëherë mbeten pa përgjigje, sepse arsyeja nuk është në gjendje ta shqyrtojë këtë mister – tha Papa – e duke cituar Enciklikën e tij ‘Spe salvi’ shpjegoi se sëmundja e vdekja vijnë, nga njëra anë prej papërsosurisë sonë, e nga ana tjetër, prej masës së fajit, që është grumbulluar në rrjedhë të historisë e që vijon të rritet pandalshëm edhe sot e kësaj dite. Natyrisht duhet bërë ç’është e mundur për ta lehtësuar sa më shumë vuajtjen, por me vetëdijen se nuk është në dorë tonë ta zhdukim plotësisht, sepse:
“Ai që mund ta zhdukë pushtetin e së keqes, është vetëm Zoti. Pikërisht për faktin se Jezu Krishti erdhi në botë që të na zbulojë planin hyjnor të shëlbimit tonë, feja na ndihmon për të depërtuar në kuptimin e çdo gjëje njerëzore e, prej këndej, edhe në kuptimin e vuajtjes. Ekziston, pra, një lidhje e ngushtë ndërmjet Kryqit të Krishtit, simbol i dhimbjes më sublime e çmim i lirisë sonë të vërtetë, e dhimbjes sonë, e cila shndërrohet e lartohet, kur jetohet me vetëdijen e afërsisë e të solidaritetit të Zotit”.
Prej këndej – kujtoi Papa, Atë Pio e kuptoi se të sëmurët, mjekët e meshtarët do të ishin rezerva dashurie:
Të jeni rezerva dashurie’: ja, të dashur vëllezër e motra, misioni të cilin e kërkon përsëri Shenjti nga ju, që formoni familjen e kësaj Shtëpie të ngritur për lehtësimin e vuajtjes”.
Ky ishte mesazhi i Papës i cili, duke i përshëndetur të pranishmit me fjalët e Kapuçinit Shenjt, i porositi ta bëjnë qytezën e tyre, fidanishte bamirësie e vater dashurie.

Në orën 17. 30 e kishin radhën priftërinjtë, rregulltarët, rregulltaret e të rinjtë, me të cilët Papa u takua në Kishën e Shën Piut nga Pietrelçina, takim me të cilin do t’ju njohim në programin tonë të nesërm.







All the contents on this site are copyrighted ©.