2009-06-21 17:39:01

Qershori, muaj kushtuar Zemrës së Krishtit.


(21.06.2009 RV)RealAudioMP3 Po i afrohet fundit edhe qershori, muaji i Zemrës së Krishtit, që na ndihmon të kujtojmë sa i pasur me mëshirë është Zoti. Qershori është tradicionalisht i lidhur me devocionin ndaj Zemrës së Krishtit, devocion i përhapur në botën mbarë që prej katër shekujsh. Por cila është simbolika e “Zemrës së shenjtë të Krishtit?”.

Devocioni për Zemrën e Krishtit, më tepër se devocion, është përshpirtëri. Eshtë simbol që na tregon se Zoti është dashuri, se Zoti – siç ka thënë Ati i Shenjtë në një nga enciklikat e veta më të bukura – është i pasur me mëshirë. Ky, në një botë kaq të munduar nga urrejtjet e konfliktet, është mesazh tepër aktual e jashtzakonisht ndërtimtar.

Mendohet se devocioni për Zemrën e Krishtit lindi në gjysmën e dytë të gjashtëqindës në Parej-le Monial, përmes veprimtarisë së Shën Margeritës Maria Alakok. Dhe është e vërtetë që kjo mistike dha një ndihmesë themelore për përhapjen e devocionit të Zemrës së Krishtit, së bashku me Shën Klaudin de La Colombierë. Por edhe para saj, Shën Katerina nga Siena si dhe mistikët fiamingë, patën folur për Zemrën e Krishtit, provuan përvojën e pranisë së kësaj Zemre Hyjnore dhe ia përcollën këtë përvojë njerëzimit me fjalë mahnitëse. Kisha na mëson se rrënja e devocionit të pëshpirtërisë së Zemrës së Krishtit është në Ungjillin e Gjonit, e pikërisht në skenën, në të cilën një ushtar romak, pas kryqëzimit e vdekjes së Jezusit, kur Krishti ishte akoma në kryq, e shporoi me heshtë, duke ia çarë kraharorin e duke hapur kështu një dritare mbi Zemrën e Birit të mishëruar të Hyjit.

Përfitimi i parë që kemi nga ky devocion është se krijojmë një përfytyrim më të drejtë për Zotin, për Jezusin e për jetën e krishterë. Të kuptosh se Zoti është dashuri, do të thotë t’i kapërcesh format e sëmura të druajtjes; themi të sëmura, sepse ka edhe një druajtje shumë të shëndoshë; pra, të kapërcesh një farë frike, një farë distance që nuk është e përshtatshme, që Zoti nuk e do nga ne. E kemi fjalën për formalizmin, për ndjekjen e praktikave të rëndësishme fetare, si të ishin një taksë, që duhet paguar, një lejekalimi, për të qenë në rregull me Zotin. Po kjo nuk është rruga e vërtetë e fesë, nuk është miqësia e vërtetë me Zotin!







All the contents on this site are copyrighted ©.