2009-06-21 17:33:07

Më 4 korrik do të përurohet Kapela e restauruar e Shën Palit.


(21.06.2009 RV)RealAudioMP3 Të shtunën, më 4 korrik, Benedikti XVI do të përurojë Kapelën mikelanxholeske kushtuar Shën Palit, së cilës iu kthye bukuria e dikurshme, pas shtatë vjet punimesh, të kryera me pasion e mjeshtri.
Njoftimin e jep drejtori i Muzeve të Vatikanit, Antonio Pauluçi, në një artikull, botuar në gazetën vatikanase ‘L’ Osservatore Romano”, ku përshkruan fazat e ndryshme të punimeve pesë vjeçare, kryer prej skuadrës, drejtuar nga Mauricio De Luka.
Pikërisht këtu Benedikti XVI do të kremtojë Lutjet e para Mbrëmësore të së dielës XIV të kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar, pak pas 29 qershorit, kur do të mbyllet Viti kushtuar Apostullit të Popujve. E ishte pikërisht ky afati i paracaktuar për përfundimin e restaurimit, që u respektua plotësisht, falë shpejtimit të punimeve gjatë vitit të fundit. Kapela, kushtuar Shën Palit, vend privat kulti në Pallatin Apostolik, i rezervuar për Papën e për familjen papnore, siç quhen njerëzit që i qëndrojnë më pranë Atit të Shenjtë, nisi të ndërtohej nga Papa Pali III Farneze i cili, për realizmin e saj, ngarkoi arkitektin e famshëm italian Antonio da Sangallo, shumë aktiv gjatë Rilindjes e Manierizmit. Arkitekti i porositi Mikelanxhelos dy afreske, të vëna përballë, që paraqesin Kthimin e Saulit dhe Kryqëzimin e Shën Pjetrit, dy kryevepra, të cilat meritojnë vëmendjen jo vetëm të atyre që besojnë në Zotin, por edhe në bukurinë e krijuar prej Tij. Në këto kryevepra, me ndikim mbi të gjitha veprat e artit realizuar më pas në Kapelë, historia bëhet figurë e figura, teologji e gjallë, e prekshme, tejet e kuptueshme edhe për njeriun që nuk e ka lexuar kurrë Shkrimin Shenjt.
Në një farë mënyre - shpjegon Pauluçi – Kapela kushtuar Shën Palit, më shumë se ajo Sikstine, është vendi që simbolizon misionin e Kishës Universale. E, kur i Shenjtnueshmi Sakrament është jashtë, mbi elter, theksohet edhe më shumë mesazhi teologjik, që ruhet e shpallet nga Papa i Romës, rojtar i Korpit të Krishtit, në vazhdmësi të ligjshme apostolike e në besnikëri ndaj saj.







All the contents on this site are copyrighted ©.