2009-06-20 16:05:37

Papa në hapjen e Vitit Meshtarak: “Kisha ka nevojë për meshtarë të shenjtë”.


(20.06.2009 RV)RealAudioMP3 “Kisha ka nevojë për meshtarë të shenjtë, për shërbëtorë që i ndihmojnë besimtarët të provojnë dashurinë përdëllyese të Zotit e të jenë dëshmitarë të bindur”. Është një nga fragmentet e homelisë së Benediktit XVI mbajtur mbrëmë, në Bazilikën e Vatikanit, gjatë kremtimit të Lutjeve të dyta Mbrëmësore në festën e Zemrës së Krishtit. Me këtë rit Ati i Shenjtë hapi Vitin Meshtarak, në 150-vjetorin e vdekjes së Shën Gjon Maria Vianejt, pajtor i famullitarëve. Me keqardhje të thellë Papa kujtoi edhe se s’ka gjë që e bën të vuajë më shumë Kishën, Korpin e Krishtit, sesa mëkatet e barinjve të saj, posaçërisht të atyre që kthehen në ‘cuba të deleve”.

Meshtarë të shenjtë, të aftë t’i ndihmojnë besimtarët për të provuar dashurinë përdëllyese të Zotit e për të qenë dëshmitarë të bindur të kësaj dashurie. Kjo është zemra e homelisë së Benediktit XVI i cili, me rastin e hapjes së Vitit Meshtarak, i porositi shërbëtorët e Zotit të ndjekin shembullin e Famullitarit Shenjt të Arsit e të zemrës së tij të përflakur nga dashuria hyjnore:
“Meshtaria është dashuri për Zemrën e Krishtit. Si mund të mos kujtosh me emocion se drejtpërdrejtë nga kjo zemër gurroi dhurata e shërbimit tonë meshtarak? Si mund të harrojmë se ne, meshtarët, u shuguruam për t’i shërbyer, me pëvujtëri e autoritet, meshtarisë së përbashkët të besimtarëve? Misioni ynë, i domosdoshëm për Kishën e për botën, kërkon besnikëri të plotë ndaj Krishtit e bashkim të pandërprerë me Të; kërkon, pra, të ecim vazhdimisht në rrugën e shenjtërisë, ashtu siç bëri Shën Gjoni Vianej".
Të mbetemi në dashurinë e Krishtit e të pushtohemi plotësisht prej Tij – theksoi Papa - është qëllimi i gjithë jetës për secilin nga ne:
“Për të qenë misionarë në shërbim të Ungjillit, është sigurisht i nevojshëm studimi i kujdesshëm dhe formimi i vazhdueshëm baritor, por ajo që ka më tepër rëndësi nga të gjitha, është ‘shkenca e dashurisë”, që mësohet vetëm kur rri ’zemër për zemër’ me Krishtin. Është ai, që na thërret të thyejmë bukën e dashurisë së tij, të zgjidhim mëkatet e t’i prijmë grigjës në emër të tij. Pikërisht për këtë arsye nuk duhet të largohemi kurrë nga burimi i dashurisë së tij, që është zemra e tij e shporuar mbi kryq”.
Benedikti XVI u kujtoi meshtarëve se pikërisht Zemrën e Krishtit duhet ta shikojnë si balsam për mëkatet, posaçërisht kur mëkatari mundet nga kufizimet e nga ligështitë E në se është e vërtetë që mëkatarët, duke e kundruar, duhet të mësojnë prej Krishtit ‘dhimbjen për mëkatet”, që i rikthen tek Ati, kjo vlen edhe më shumë për shërbëtorët e Kishës:
“S’ka gjë që e bën të vuajë më shumë Kishën, Korpin e Krishtit, sesa mëkatet e barinjve të saj, posaçërisht të atyre që kthehen në ‘cuba të deleve” (Gjn.101ss), ose pse dredhojnë rrugë me doktrinat e tyre private, ose pse lidhen nga leqet e mëkati e të vdekjes. Vlen edhe për ne, të dashur meshtarë, thirrja për t’u penduar e për të kërkuar Mëshirën Hyjnore, e edhe ne duhet t’i drejtojmë me përvujtëri Zemrës së Krishtit, lutjen e përhershme që të na ruajë nga rreziku i tmerrshëm i dëmtimit të atyre, të cilët jemi caktuar t’i shpëtojmë”.
Një rrezik që doli më shumë në pah kur Ati i Shenjtë i nxiti meshtarët ta ruajnë të njëjtin emocion, që kishte Shën Gjon Vianej, si kur kryente shërbimin me bujari e përkushtim, ashtu edhe kur ruante në shpirt ‘frikën e vërtetë të Zotit”: frikën – vijoi Papa - se mund t’i lemë pa gjithë këtë të mirë, për shkak të çkujdesjes a të fajit tonë, shpirtrat që na besohen, ose, mos e thashtë Zoti , edhe t’i dëmtojmë.
Benedikti XVI uroi që Solemniteti i Zemrës së Krishtit – mister i Zemrës së një Zoti, që preket e resh gjithë dashurinë e tij mbi njerëzimin, të shfrytëzohet si rast i përshtashëm për kundrim. Një dashuri misterioze e cila, në tekstet e Besëlidhjes së Re, na zbulohet si afsh i Hyjit për njeriun:
“Në zemrën e Krishtit shprehet thelbi i krishtërimit; në Krishtin na u dëftua e na u dhurua gjithë risia revolucionare e Ungjillit: dashuria, që na shpëton e na bën të jetojmë tashmë në amshimin e Hyjit. Shkruan Shën Gjoni ungjilltar: “Vërtetë, Hyji aq fort e deshi botën, sa që e dha një të Vetmin Birin e vet, kështuqë secili që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetën e pasosur” (3,16): Zemra e tij hyjnore e thërret atëherë zemrën tonë; na fton të dalim nga vetvetja, t’i lëmë mënjanë siguritë tona njerëzore, për t’u lëshuar në duart e Tij e, duke i shkuar për gjurmë, ta bëjmë vetveten dhuratë dashurie pa asnjë kusht”.
Në përfundim Papa iu lut Virgjërës Mari, për të cilën Famullitari Shenjt i Arsit kishte devocion bijnor, t’i ndihmojë meshtarët për të qenë prijës të palëkundshëm e të ndriçuar nga zemra e përflakur e asaj “dashurie baritore”, që është e aftë ta shkrijë ‘unin’ vetjak me Atë të Jezusit Meshtar.








All the contents on this site are copyrighted ©.