2009-06-20 18:42:21

Papa kardinalit Kasper për mbylljen e Vitit kushtuar Shën Palit: të përsëritet lutja për bashkim.


(20.06.2009 RV)RealAudioMP3 Benedikti XVI ia besoi kardinalit Valter Kasper, kryetar i Këshillit Papnor për Bashkimin e të Krishterëve, i dërguar i tij i posaçëm, kremtimet për mbylljen e Vitit kushtuar Shën Palit në Tokën Shenjte, më 29 qershorin e ardhshëm. Në një Letër, që u bë e njohur sot, Papa shpreh gëzimin me të cilin i jetoi vizitat baritore në viset e Shën Palit, ku do të shkojnë edhe të dërguar të tjerë nga ana e tij, për të marrë pjesë në liturgjitë me të cilat do të mbyllet Viti kushtuar Apostullit të Popujve.
Në Liban do të shkojë kardinali André Vënt Trua, kryeipeshkëv i Parisit; në Siri, kardinali Antonio Maria Roko Varela, kryeipeshkëv i Madridit; në Turqi, kardinali Zhan–Lyi Toran, kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar; në Greqi, kardinali Jozef Tomko, prefekt nderi i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve; në Qipro, kardinali Renato Rafaele Martino, kryetar i Këshillit Papnor të Drejtësisë e Paqes; në Maltë, kardinali Enio Antoneli, kryetar i Këshillit Papnor për Familjen.
Edhe në trojet shqiptare, të ungjillëzuara nga Shën Pali, më 29 qershor do të mbyllen kremtimet e Vitit kushtuar Shën Palit: në kateralen e Tiranës, që e ka pajtor Apostullin e Popujve, do të mbahet një kremtim solemn eukaristik; ndërsa në Kosovë do të kremtohet në Kishën e Gjakovës, kushtuar Shën Pjetrit e Shën Palit.
“I lumi Shën Pal, Apostulli që tha ‘Për mua të jetoj është Krishti e të vdes është fitim’, sepse mbeti për ne shembull i shkëlqyer, që na tregon si duhet dashur Zoti e si duhet bërë vullneti i Tij, në shërbim të Hyjit e të Kishës” - ky është një nga fragmentet e Letrës, që Papa i drejtoi kardinalit Kasper, i cili do të jetë i pranishëm gjatë kremtimit në Tokën Shenjte, duke theksuar vlerën e doktrinës së Apostullit të Popujve dhe nxitjen e tij për shpëtimin e mbarë njerëzimit. Papa i siguron besimtarët e Viseve Shenjte se lutet për ta e u jep të gjithëve, bekimin e tij apostolik.







All the contents on this site are copyrighted ©.