Lindi në Dardilì, pranë Lionit në Francë, më 8 maj 1786 në një familje fshatare. Ndonëse
i mungonte kultura e nevojshme, ia doli mbanesh të shugurohej meshtar, vetëm pse mbahej
nga të gjithë si model i dashurisë së krishterë. Si u emërua famullitar në Ars-an-Dombë,
iu kushtua me mish e shpirt ungjillëzimit të vendit, kryesisht duke u bërë shembull
mirësie e dashurie, ndonëse i torturuar nga mendimi se ishte krejt i papërgatitur
për një detyrë kaq me përgjegjësi. Dhjetë vjet pas arritjes së tij, Arsi ishte përplot
me besimtarë e ai, që në fillim e kishte të ndaluar të rrëfente, u bë njëri nga rrëfyesit
më të ndritur në historinë së Kishës. Dëshmoi, kështu, se jo gjithnjë janë të nevojshme
filozofia e teologjia për t’i afruar shpirtrat te Zoti e për t’i udhëhequr ndërgjegjet
drejt dritës së Krishtit. Po, le të njihemi me disa hollësi të jetës së Shenjtit.
Dukej sikur e gjithë bota ishte ngritur kundër dëshirës së tij për t’u bërë prift:
i jati, i cili nuk donte kurrsesi që i biri të ndiqte këtë rrugë; Revolucioni që çkristianizoi
Francën; Napoleoni që e thirri ushtar, në sa ai u detyrua të dezertonte, duke mos
dashur t’i shërbente njeriut që kishte burgosur Papën Piu VII. Do të ishte burgosur,
po të mos e kishte shpëtuar i vëllai, Fransua, që e zëvendësoi në ushtri. Më në fund,
në moshën 29 vjeç, u bë prift në gusht të vitit 1815, në sa anglezët e çonin Napoleonin
të burgosur në ishullin e Shën Elenës. Shugurohej pa i kryer studimet, e jo se
e kishte penguar revolucioni. Nuk e kuptonte latinishten, nuk dinte të argumentonte,
as të predikonte... pra, nuk mund të realizonte dëshirën për t’u bërë meshtar. U desh
guximi i Abatit Sharl Balì, famullitar i Ekyji-së, pranë Lionit, për t’ia hapur rrugën
drejt meshtarisë: ishte abati ai, që i dha mësim në qelën e vet, që e dërgoi në seminar,
që e mikpriti kur i ndërpreu studimet, që vijoi ta përgatiste me durim, derisa e shuguroi
meshtar në Grenoblë. Meshtari i ri e filloi detyrën e famullitarit të Arsit me ankth,
me dëshirën për të ikur nga famullia. Por, pas pak vitesh, në Ars filluan të vinin
njerëz nga të katër anët, ashtu siç shkohet në shtegti. Vinin për të, pasi qe bërë
i njohur përmes ndihmës që u jepte famullive të tjera, sidomos kur ishte nevoja për
të rrëfyer. Ky famullitar, i përqeshur nga priftërinjtë e tjerë, madje edhe i paditur
te ipeshkvi për “huqe” dhe “çrregullime”, nisi të qëndrojë gjithnjë më gjatë në rrëfyestore,
falë talentit të tij për të drejtuar e për të ngushëlluar shpirtrat, që u bë i njohur
në të gjitha shtresat e shoqërisë franceze të kohës. Njerëzit shpresëhumbur largoheshin
nga rrëfyestorja e tij plot fe e shpresë. Në sa ai vijonte ta konsideronte veten të
paaaftë aq, sa provoi dy herë të ikë nga famullia. Por u kthye shumë shpejt mbrapsht,
sepse në Kishë e prisnin qindra njerëz të ardhur edhe nga larg. Vijoi të rrëfejë
e të kremtojë meshë deri në verën e përvëluar të vitit 1859, kur nuk qe më në gjendje
të shkonte në kishë, sepse po jepte shpirt. E pagoi mjekun, duke e porositur të mos
vinte më, sepse shihej qartë që mjekimet ishin të kota. Kur njerëzit e morën vesh
lajmin e vdekjes së tij, s’mjaftuan trenat as veturat, për të përballuar shtegtarët
që niseshin drejt Arsit – shkruan një dëshmitar. Turma që donte t’i jepte lamtumirën
e fundit ishte aq e madhe, sa trupi i tij u mbajt në Kishë dhjetë ditë e dhjetë
netë. Papa Piu XI do ta shpallte shenjt më 1925.