2009-06-19 18:16:13

Dita për shenjtërimin e Klerit


(19.06.2009 RV)RealAudioMP3 Sot, më 19 qershor, në Solemnitetin e Zemrës së Krishtit, kremtohet Dita për shenjtërimin e klerit, themeluar nga Gjon Pali II në vitin 1995, sivjet në atmosferën e krijuar nga Letra e Benediktit XVI për Hapjen e Vitit Meshtarak, përmes së cilës i fton meshtarët të jenë “Barinj sipas Zemrës së Zotit”, si Famullitari i shenjtë i Arsit.
Po cila është domethënia e kësaj dite? Ç’ kuptim e ç’qëllim ka?

Përgjigje: - Kjo ditë ka për qëllim që të lutemi për shenjtërimin e klerit dhe që i gjithë populli i Zotit, natyrisht edhe klerikët, të fitojnë vetëdijen se meshtaria është e pazëvendësueshme. Shëlbimi kalon nëpër meshtarinë, për të arritur tek të gjitha breznitë e të gjitha kohërave. Domethënia e parë, pra, është të kuptohet se meshtaria nuk është mbistrukturë e Kishës, por strukturë, mbi të cilën ngrihet vetë Kisha, sepse rrezaton dëshirën e Zotit tonë Jezu Krishtit për t’i shëlbuar të gjithë njerëzit. Qëllimi, pra, është të lutemi për klerin, sepse meshtari, që është një Krisht tjetër në gjirin e shoqërisë, do të duhej të kishte tiparet e Krishtit, e prej këndej, shenjtëria bëhet kërkesë jetike, pa të cilën meshtari nuk mund të kuptohet.

Pyetje: - Pse kjo Ditë përkon gjithnjë me solemnitetin e Zemrës së Krishtit?

Përgjigje: - Zemra, e dimë të gjithë, është simbol i ndjenjave. Sapo shikojmë zemrën në një pikturë, mendojmë menjëherë për dashurinë, për ndjenjat që e bëjnë të rrahë atë zemër. Zemra e Krishtit është simboli i dashurisë baritore për shpirtrat. Kur e shikojmë Zemrën e Krishtit, na vijnë menjëherë në mendje fjalët: “Ejani tek unë, ju të gjithë që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t’ju çlodh”. Atëhere meshtari e ndjen se duhet, se pritet si mik: “Nuk do t’ju quaj më shërbëtorë, por miq” u thotë Krishti meshtarëve të tij e apostujve të tij; e atëherë meshtari ndjen se e kuptojnë edhe kur është krejt i vetëm, ose kur jeton dramën e moskuptimit, në sa përpiqet të komunikojë vlerat në një shoqëri të shekullarizuar, ku zëri i tij shpesh humbet mes zhurmave. E kjo për meshtarin është shkollë, ku nxë mësimin e dashurisë baritore, për t’u bërë ai vetë strehë e shpirtrave. Edhe vetë pamja e meshtarit, veshja e mënyra si mbahet, duhet të jetë një shenjë që i flet besimtarit për qëndrimin e tij atëror, për mikpritjen, mirëkuptimin, për sigurinë se meshtari është strehë për të gjithë e në çdo rrethanë. Mendoj se shkollë e veçantë është edhe ajo që të jesh rrëfyes i mirë, për të mbarështuar mëshirën e Zotit.

Pyetje: - Si duhet të jetë figura e meshtarit që pret sot bashkësia e krishterë?

Përgjigje: - Them se është figurë meshtari krejt e ndryshme, nga ajo që paraqesin mjetet e komunikimit shoqëror: flas kështu, sepse meshtari nuk paraqitet siç është në të vërtetë. Meshtari që pret bashkësia është, mbi të gjitha, njeri i Zotit. Bashkësia pret të shikojë në të Famullitarin shenjt të Arsit, apo Shën Gjon Boskon. Natyrisht secili ka karakterin e vet, por kjo nuk e përjashton, përkundrazi e thellon, kërkesën për të parë në të vetë Zotin. Kur e pyesnin ndokend, që kthehej nga takimi me Shën Gjon Vianejn, famullitarin e Arsit: “Ke shkove të shikosh?”, përgjigjej: “Shkova të shikoj Zotin në një njeri”. Unë besoj se edhe laicistët, kur flitet për meshtarin apo kur duan t’ia hapin zemrën dikujt, kërkojnë pikërisht njeriun e Zotit.

Pyetje: - Cilat janë sfidat kryesore për meshtarët e sotëm?

Përgjigje: - Sigurisht janë sfidat për të cilat Ati i Shenjtë, ka folur shpesh, dmth sfida e shekullarizimit, e relativizmit, e mendimit të ligësht, shumë e përhapur në kulturën e masës, e indiferentizmit, e mungesës së aftësisë për ta parë realitetin me sy kritik, duke dalluar në të të mirën nga e keqja. Në këto rrethana, meshtari nuk duhet të ecë pas botës, por pas Zotit, duhet të dijë t’i përballojë e t’i shikojë sfidat me syrin e Zotit, të dashurisë së tij e me pasion për misionin.
Meshtari, sipas Letrës së Papës për hapjen e Vitit Meshtarak, duhet të ecë në gjurmët e famulltarit të Arsit, që vizitonte rregullisht të sëmurët e familjet, organizonte misionet popullore e festat e pajtorëve, mblidhte ndihma për veprat e tij bamirëse e misionare; zbukuronte Kishën e vet, merrej shumë me jetimët, interesohej për shkollimin e fëmijëve, themelonte bashkëvëllazëri e i ftonte laikët të bashkëpunonin me të. Shembulli i tij, që duhet mbështetur fuqimisht edhe mbi mësimet e Koncilit II të Vatikanit, u zbulon meshtarëve hapësirat e bashkëpunimit me besimtarët laikë, me të cilët formojnë një popull të vetëm: popullin e Zotit. Në Letrën drejtuar meshtarëve, Benedikti XVI kujton edhe se Famullitari i Arsit i shikonte si veprimtari të dorës së parë, gjunjëzimin para Tabernakullit, Meshën e sidomos, Rrëfimin, që e bëri të famshëm në gjithë botën. E Mesha për të nuk kremtohej kurrë si të ishte një ngjarje e zakonshme. Mesha është e duhet të jetë një ngjarje e jashtëzakonshme, gjithnjë e re, për të gjithë ata që janë të pranishëm në flijimin e përditshëm të Krishtit në kryq. E kur meshtari nis të rrëfejë, të mos harrojë se Shën Gjoni, që nuk mund të qëndronte kurrë indiferent përballë mëkatit, rrinte deri në 16 orë në rrëfyestore. Receta e tij ishte: “U jap mëkatarëve pjesën më të vogël të pendesës. Pjesën tjetër e bëj unë vetë, në vend të tyre!”. Shpirtërat – na rikujtoi Benedikti XVI – shpëtohen me çmim tejet të lartë, me gjakun e Krishtit, prandaj meshtari nuk mund të mos e paguajë pjesën që i takon nga ky çmim.

Pyetje: - A mund të themi se meshtari i shenjtë edukon besimtarë të shenjtë?

Përgjigje: - Pyetje e bukur, që flet për shkëmbimin e shenjtërisë. Sa më i shenjtë të jetë meshtari, aq më të shenjtë bëhen ata, për të cilët kujdeset. Është një lloj si burimi i ngrohtësisë: në se në një dhomë është i ndezur zjarri, ndjehet menjëherë ngrohtësia. Prandaj në këtë Ditë, mendoj se besimtarët duhet të luten që meshtarët e tyre t’i përngjasin sa më shumë Krishtit e të bëhen në botën e sotme, siç porosit Benedikti XVI në Letrën për Vitin Meshtarak, lajmëtarë të shpresës, të pajtimit e të paqes.







All the contents on this site are copyrighted ©.