2009-06-18 11:45:02

Vdes nga shpërthimi i makines Kryetari i Partisë Demokristiane Malesi e Madhe Aleks Keka


(18.6.2009 RV)Tre orë nga vrasja me eksploziv e kryetarit të PDK-së Malësisë së Madhe policia e Shtetit informon në një prononcim për shtyp se viktima Aleksandër Keka ishte person me precedentë kriminalë në trafikun e drogës dhe të eksplozivëve me telekomandë.
“Duhet theksuar se shtetasi Aleksandër Keka prej vitesh është evidentuar nga strukturat e policisë lokale e qëndrore si person me precedent të theksuar kriminal me tendencë trafikun e lëndëve narkotike, trafikun e mjeteve motorike si dhe trafikimin e lëndëve plasëse me telekomandë.”- deklaroi zëdhënësi i Policisë së Shtetit Klodian Branko në prononcimin për shtyp të dhënë rreth orës 13.30 minuta.
Njoftimi për shtyp vazhdon me detajet e vrasjes:
“Sot më datë 18.06.2009, rreth orës 09.45 në vendin e quajtur Grizhë, në aksin rrugor Koplik- Shkodër, mjeti Mitsubishi Pajero me targë SH 2125 E është parë nga dëshmitarë të pranishëm se ka pasur një shpërthim në ecje dhe dalje të menjëhershme të mjetit nga rruga”.

34 vjecari Aleksandër Keka, lindur e banues në fshatin Pjetroshan, komuna Kastrat, Malësi e Madhe është gjetur i vdekur nga strukturat e policisë lokale që kanë mbërritur në vendngjarje.

Policia thotë se mjeti fuoristradë në të cilën udhëtonte kryetari i degës së PDK-së ishe në pronësi të Arben Bitanit, biznesmen i vrarë në 2008.

Për hetimin e kësaj ngjarje policia thotë se janë angazhuar ekspertët e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, Laboratorit Qëndror Kriminalistikë, të Njësisë Antieksploziv etj. Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor.
********
Kryetari i Partisë Demokristiane të degës së Shkodrës Aleks Keka ka mbetur i vdekur sot në mëngjes teksa po udhëtonte me makinën e tij. Ngjarja ndodhi në fshatin Grilë afër qytetit të Shkodrës.
Të dhënat e para të policisë bëjnë të ditur se viktima Aleks Keka po udhëtonte me automjetin e tij, tip fuoristradë, nga Kopliku drejt Shkodrës. Policia tha se kryetari i PDK-së së Shkodrës kishte udhëtuar disa kilometra larg qytetit të Koplikut, në fshatin kur ka ndodhur shpërthimi.
Policia e Shkodrës thotë se shpërthimi ka qenë i fuqishëm dhe automjeti ka pësuar dëmtime të rënda. Ende nuk është e qartë nëse kryetari i degës së PDK-së, njëkohësisht dhe biznesmen po udhëtonte vetëm në makinë apo një person i dytë ishte në makinë.
Policia thotë se për momentin është e vështirë të verifikohet pasi automjeti është dëmtuar shumë nga shpërthimi.
Ende nuk dihet nëse shpërthimi ka ndodhur nga një rrjedhje e gazit të makinës apo nga vendosja e një eksplozivi. Policia e Shkodrës thotë se kur i janë afruar makinës kanë ndjerë erën e gazit, cka ngre dhe versionin se shpërthimi mund të ketë ndodhur nga një rrjedhje gazi. Një grup ekspertësh të hetimit dhe forca të shumta policie ndodhen në vendngjarje por është e vështirë të mësohet se nga se është shkaktuar shpërthimi i automjetit në të cilën po udhëtonte Aleks Keka.







All the contents on this site are copyrighted ©.