2009-06-18 16:27:04

Protestat në Iran vazhdojnë. Opozita nuk tërhiqet dhe bën thirrje për manifestime të tjera.


(18.06.2009 RV)RealAudioMP3 Protestat në Iran hynë në ditën e gjashtë. Veshur me të zeza, në shenjë zije për shtatë të vrarët nga policia në ditët e kaluara sipas thirrjes që kishte bërë udhëheqësi i opozitës Musavi, manifestuesit dolën rishtas sot në rrugët e Teheranit. Gjithashtu Musavi i kishte kërkuar të pranishëmve që të protestonin në heshtje dhe pa hedhur parrulla.
Ndërkaq Këshilli i Rojeve sulmoi “armiqtë e Iranit që përpiqen të shkaktojnë turbullira në vend” të cilët, sipas këtij organi suprem iranian, “janë të zemëruar ngaqë pjesëmarrja e popullit në votime të premten e kaluar ka qenë shumë e lartë”. Gjithashtu Këshilli i kërkoi katër kandidatëve Ahmadinexhad, Musavi, Karrubi dhe Rezai – që të shtunën të paraqiten për të shqyrtuar mënyrën e rinumërimit të pjesshëm të votave.
Njoftohet se për shkak të protestave deri tani kanë përfunduar në pranga afro 500 vetë, ndër të cilët ka njerëz të zakonshëm por edhe koka si intelektuali Ibrahim Jazdi.
Policia islamike i bëri thirrje anëtarëve të saj që nesër të marrin pjesë në lutjen e madhe drejtuar nga udhëheqësi suprem Ali Khamenei. Fillimisht Khamenei e bekoi fitoren e Ahmadinexhadit ndërsa tani duket se e ka ridimensionuar pozicionin e tij.
Gjithashtu sot Shoqata e Besimtarëve Luftëtarë, organizatë fetare progresiste kjo, u rreshtua përkrah opozitës.
“Për të kuptuar se cili mund të jetë përfundimi i këtyre protestave duhet të dish se me kë do të bashkohen udhëheqësit fetarë të qytetit të Komit.” Kështu shprehet për situatën në Iran gazeta amerikane Nju Jork Tajms. Deri tani mullahët e qytetit Kom, nuk janë përfshirë në situatën e krijuar. “Një nga misteret e kësaj lëvizjeje është se kush po e organizon atë”, shkruan e përditshmja amerikane, sipas së cilës mendohet se organizatori është Ali Akbar Rafsanxhani, kryetar i Asamblesë së Ekspertëve, një grup 86 personash, i cili ka kompetencë të shkarkojë nga detyra madje edhe udhëheqësin suprem. Në zgjedhjet presidenciale të 2005, Ahmadinexhadi pati fituar pikërisht kundër rivalit Rafsanxhani.
E ndërkaq, sot pasdite, ambasada iraniane në Bruksel, nxorri një notë në të cilën thuhet se “mbështetja që u jepet manifestuesve në Iran nga jashtë është e pajustifikueshme”. Pasi i quan manifestuesit “agjitatorë” dhe “anarkikë” ambasada në notën e vet thotë se mundësia e manipulimit të zgjedhjeve në Iran është pothuajse e barabartë me zero, falë kjo sistemit të kontrollimit të votimeve.







All the contents on this site are copyrighted ©.