2009-06-18 16:27:43

Goditet me raketë një xhami në Mogadisho. Vritet ministri i brendshëm.


(18.06.2009 RV)Një xhami në Mogadisho, Somali, u godit dje me raketë. Mbetën të vrarë të paktën dhjetë besimtarë që ishin mbledhur për lutjen e mbrëmjes. Kështu bëri të ditur sot BBC. Dje, në vend, qe një ditë mjaft e nderë me përleshje ndërmjet milicisë islamike dhe forcave qeveritare. Nga luftimet u vranë rreth 20 vetë ndërmjet të cilëve edhe shefi i policisë së kryeqytetit. Të plagosurit janë nja 50 ndër të cilët edhe 3 gazetarë vendas.
Po ashtu në një atentat tjetër me kamikaze sot në qytetin Baladuejn, u vra ministri i brendshëm i Somalisë Omar Hashi. Lajmi u dha nga televizioni Al Arabia. Në çastin e shpërthimit të bombës, ministri Hashi gjendej në hotelin Medina në mbledhje së bashku me ambasadorin etiopik dhe zyrtarë të tjerë. Nga shpërthimi krejt hoteli është shkatërruar dhe numri i saktë i viktimave nuk dihet ende.
Sipas OKB që nga fillimi i konflikteve në muajin e kaluar e deri tani të vdekurit në Somali janë 250, ndërsa të shpërngulurit afro 122 mijë. Kombet e Bashkuara njoftojnë se brenda territorit të Somalisë ka afro 1,3 milionë refugjatë.







All the contents on this site are copyrighted ©.