Famullitari i Arsit, Shën Gjon Vianej që rrinte gjithë ditën në rrëfyestore.
(18.6.2009 RV)Sa shëndetlig e hollak është famullitari i ri i Arsit. S’i ka
mbushur ende tridhjetë e një vjetët e i ka faqet të zgropuara. Klementina, Liza e
Amelia, tri besimtare të famullisë të Shën Filomenës, së cilës i kushtohet Kisha e
vendit, janë vërtetë të shqetësuara. “Me sa duket, ha shumë pak!”. “Thonë se
ha vetëm patate…” “E ke parë ç’vështrim të ethshëm ka?... “Jo të ethshëm, por
të zjarrtë!”. Gjon Maria Vianej, me origjinë nga Dardilě, pranë Lionit, erdhi në
Ars aty nga viti 1817. Pasi e vërejtën mirë e mirë, besimtarët nisën ta çmonin shumë.
E pak nga pak filluan ta ndjekin çdo ditë Kishën… Sipas famullitarit të Arsit, rrëfimi
është mënyra më e mirë për të rifilluar një jetë të re, për t’iu afruar Zotit e për
t’i kërkuar falje. Prandaj e nis punën e tij pikërisht nga rrëfyestorja, ku shpesh
rri deri në tetëmbëdhjetë orë. “Nuk ka pikë kujdesi për vete. Pastaj, pse duhet
të rrëfehemi? Ti Amelia, për shembull, a mund të quhesh mëkatare?”. “Unë jo, por
të tjerët, me sa duket, po. Ta tregon vetë numri i njerëzve që vrapojnë në rrëfyestoren
e tij”. “E kush na qenkan këta?” – pyet me shqetësim Amelia. “Së pari, ti i
gjykon të tjerët pa i njohur fare. Pastaj e vë vetën përmbi ta, duke harruar se të
gjithë jemi të barabartë para syve të Zotit. Së fundi, më e rëndësishmja nga të gjitha,
nuk e njeh bukurinë e hapit që bëjnë: s’ka gjë më të bukur se të pajtohesh me Zotin”. “Ngutem
gjithnjë kur flas” – pranon me ndrojte Amelia. “Gjëja më mahnitëse që bën Zoti,
është se nuk na qorton” – ndërhyn Liza, “por na do kështu siç jemi. Ulet tek këmbët
tona për të na pastruar nga balta e mëkateve e për të na hapur rrugën drejt jetës
së re”. Liza çuditet sesi mundi të japë një përgjigje kaq të bukur. Bie heshtja.
Sigurisht që famullitari u kishte shtënë në kokë ide të çuditshme.Fama e famulltarit
të Arsit, një meshtar i jashtëzakonshëm, shtohet gjithnjë më shumë e njerëzit vijnë
edhe nga larg për t’u rrëfyer prej tij. Pasi çlirohen nga barra e mëkateve përmes
rrëfimit, rinisen të shëruar shpirtërisht e nganjëherë, edhe fizikisht. Fillojnë të
vërtetohen edhe mrekulli. Famullitari i Arsit bëhet aq i njohur, sa të tërheqë pas
vetes turma njerëzish. Mbyll sytë në vitin 1859 e shpallet shenjt në vitin 1925, duke
u bërë edhe pajtor i klerit. Në se do të na duhej të kujtonin një nga shprehjet
e tij, do të zgjidhnim këtë: “Në shpirtin tonë kemi gjithçka duhet për të bërë
mirë”.