2009-06-18 15:51:51

Botohet Letra e Papës kushtuar Vitit Meshtarak


(18.6.2009 RV)RealAudioMP3 Në Letrën për hapjen e Vitit Meshtarak, që do fillon nesër, Papa i fton meshtarët të jenë porsi Shën Gjoni Vianej “bari sipas zemrës së Zotit”. Pra, një vit për të “promovuar angazhimin e brendshëm të ripërtëritjes të të gjithë meshtarëve në mënyrë që të japin dëshminë e tyre ungjillore më të fortë, më të mprehtë e gjurmëlënëse në botën e sotme: këtë uron Papa Benedikti XVI në letrën drejtuar “vëllezërve në meshtari” me rastin e Vitit Meshtarak që do të hapet nesër mbrëma në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan me kremtimin e Mbrëmësores së Dytë të Solemnitetit të Zemrës së Krishtit e në Ditën e lutjes për shenjtërimin e klerit.
Këtë nismë e ka dashur vet Ati i Shenjtë Jozef Racinger në përkim me 150 vjetorin e “dies natalis” të Shën Gjonit Maria Vianej, Pajtorit qiellor të meshtarëve famullitarë, i cili vdiq më 4 gusht të vitit 1859.
Letra e Papës u propozon priftërinjve të mbarë botës një përshkim të thjeshtë e korrekt sipas shembullit të Famullitarit të Arsit, Shën Gjonit Vianej. Benedikti XVI nënvizon para së gjithash “dhuratën e paçmueshme e tejet të madhe që priftërinjtë përbëjnë jo vetëm për Kishën, por edhe për vetë njerëzimin”. Letra përmend “mundimet e lodhjet apostolike”, “shërbimin e palodhshëm e të fshehur” si dhe bamirësinë e të sa e sa priftërinjve, të përkushtuar pa rezerva në shërbim të Zotit e të të afërmit edhe “ndër vështirësi e moskuptime”, madje shpesh edhe ndër persekutime “deri në dëshminë supreme me derdhje të gjakut”.
Në anën tjetër, në Letrën e tij, Papa me hidhërim vënë në pah “edhe situatat e vajtueshme e të dënueshme shkaktuar nga sjelljet e situatat e këqija të meshtarëve , të cilat sjellje nuk është kurrë e mjaftueshme të dënohen, e nga këto sjellje e situata të dënueshme të meshtarëve është vetë Kisha që vuan nga pabesia dhe tradhtia e disa mbarështuesve të saj. Atëherë është bota ajo që nxjerr arsyet e shkandullit dhe të refuzimit”.
Këndej në Letër Papa i tregon me thjeshtësi elementet që e bënë Shën Gjonin Vianej “bari sipas zemrës së Zotit”: para së gjithash ai ishte njeri “shumë i përvujtë” por në të njëjtën kohë “i vetëdijshëm, se si meshtar” ishte për njerëzit e vet “një prej dhuratave më të çmueshme të përdëllimit hyjnor”. “Dukej si të ishte i pushtuar nga vetëdija e pakufishme që kishte për kuptimin e përgjegjësisë së misionit”: “Sikur ta kuptonim mirë se çka është prifti mbi tokë – thoshte Shën Gjoni Vianej – do të vdisnim: jo nga tmerri, por nga dashuria”.
Ai e dinte se ishte i thirrur të “ mishëronte praninë e Krishtit, duke e dëshmuar butësinë e tij shpëtimprurëse”. “Ajo që më së pari duhet të mësojmë” – shkruan Benedikti XVI në Letrën drejtuar priftërinjve – është “identifikimi i plotë” i Shën Gjonit Vianej me misionin e tij meshtarak. “Këtu nuk bëhet fjalë me siguri – shton Papa – të harrosh se frytet apo rezultati thelbësor i misionit meshtarak mbetet i pavarur nga shenjtërimi i mbarështuesit apo priftit; por as nuk mund të lihet pas dore e të mos përfillet fryti i jashtëzakonshëm që buron nga takimi ndërmjet shenjtërisë objektive të mbarështimit e asaj subjektive të mbarështuesit ”.
Kështu, Vianej “vizitonte në mënyrë sistematike të sëmurët dhe familjet e bashkësisë së vet kishtare; organizonte misione popullore e festa të pajtorëve qiellor të bashkësisë kishtare; mblidhte para (të holla) për veprat e tij bamirëse e misionare; zbukuronte Kishën e vet... merrej me të varfërit e bonjakët ...interesohej për formimin arsimor të fëmijëve: themelonte shoqata kishtare dhe i ftonte laikët të bashkëpunonin me të”. “Shembulli i Shën Gjonit Vianej – pohon Papa duke përmendur Koncilin e II të Vatikanit – më shtyn të nxjerri në pah hapësirat e bashkëpunimit që janë të detyrueshëm të përhapen e shtrihen gjithnjë e më shumë ndaj besimtarëve laikë, me të cilët meshtarët formojnë një popull të vetëm meshtarak”.
Pastaj Papa kujtoi dëshminë e përditshme të Priftit të Arsit: lutjen e tij para Tabernakullit të Shenjtë, Meshën, Rrëfimin.”Ai ishte i bindur se nga Mesha varej i tërë zelli i jetës së një prifti”. “ Arsyeja e shthurjes së meshtarit – thoshte – qëndron në faktin se nuk i kushton vëmendjen e duhur Meshës! O Zoti im, sa është për t’u vajtuar meshtari që e kremton Meshën sikur të ishte një gjë e zakonshme!”.
Papa pastaj i këshillon meshtarët, që sipas shembullit të Shën Gjonit Vianej, të kenë një “besim të pashtershëm në Sakramentin e pendesës” e “ta vendosin atë në qendër të....shqetësimeve baritore”. “Shpirtrat – vëren Papa – e kanë çmimin e gjakut të Jezu Krishtit e këndej meshtari nuk mund të mos i kushtohet e përkushtohet shpëtimit të tyre nëse refuzon të merr pjesë personalisht me ‘çmim të lartë’ të shëlbimit”.
Benedikti XVI i këshillon meshtarët, sipas gjurmëve të këtij shenjti, të jetojnë me “një stil të ri të jetës”, të përuruar nga Krishti duke ndjekur tri këshillat ungjillor të varfërisë, pastërtisë e dëgjesës (bindjes) si “udhë e rregullt e shenjtërimit të krishterë” që duhet zbatuar, secili sipas gjendjes e aftësisë personale që ka. E lidhur me këtë Shën Gjoni Vianej thoshte: “sekreti im është i thjeshtë: të japësh gjithçka e të mos mbash për vete asgjë”. E duke qenë krejtësisht i bindur pohonte: “nuk ekzistojnë dy mënyra të mira për t’i shërbyer Zotit. Ekziston një e vetme: ti shërbesh ashtu siç donë Ai të jetë i shërbyer”.
Më pas Papa i drejtohet meshtarëve me “thirrje të veçantë që të dinë ta pranojnë e jetojnë pranverën e re që Shpirti i Zotit zgjon në ditët tona në Kishë, së fundi edhe përmes Lëvizjeve kishtare e Bashkësive të reja”. Më tutje, Ati Shenjtë Racinger nënvizon nevojën e “bashkimit ndërmjet meshtarëve e ipeshkvit të tyre” në “një vëllazëri meshtarake efektive dhe afektive. Vetëm kështu – shpjegon Papa - meshtarët do të dinë ta jetojnë në plotësi dhuratën e celibatit e do të jenë të aftë të bëjnë të lulëzojnë bashkësitë e krishtera në të cilat përsëriten mrekullitë e predikimit të parë apostolik”. Së fundit, me Palin e VI Papa kujton se “ njeriu bashkëkohor i dëgjon më me kënaqësi dëshmitarët se sa mësuesit, apo nëse i dëgjon mësuesit e bën këtë sepse janë dëshmitarë” . Duke ia besuar Vitin meshtarak Virgjrës Mari, Papa e përfundon letrën drejtuar priftërinjve me këto fjalë: “ Të dashur meshtarë, Krishti mbështetët e ka shpresat në ju. Sipas shembullit të Shën Gjonit Vianej, lëreni veten të pushtoheni nga Krishti e do të jeni edhe ju, në botën e sotme, lajmëtarë të shpresës, të pajtimit e të paqes!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.