2009-06-17 17:46:40

Papa në audiencën e përgjithshme kushtuar Çirilit e Metodit: Ungjilli duhet të lidhet me kulturën e çdo populli, për ta ndriçuar me vlerat e tij.


(17.06.2009 RV)RealAudioMP3 Dy apostujt e Lindjes së krishterë, Çirili e Metodi, me përvojën e tyre të jashtëzakonshme të ungjillëzimit në botën sllave të shekullit II, ishin në qendër të vëmendjes në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, në praninë e mijëra njerëzve. Në përfundim Papa vlerësoi takimin e G8 për fetë, që u mbajt dje dhe sot në Romë, me pjesëmarrjen e 100 liderëve fetarë nga të katër anët e Planetit.

Zbatonin me frymëzim e përhapnin parimet e inkulturimit të Ungjillit, në një kohë kur kjo fjalë nuk kishte hyrë ende në fjalorin e veprimtarisë ungjillëzuese. E kjo ishte edhe merita më e madhe e Metodit dhe e të vëllait, Çirilit. Ata u nisën nga Kostandinopoja, për të shkuar në mes të paganëve të Moravisë së Madhe, me idenë e thjeshtë, por tejet të rëndësishme, se nuk mund t’i përhapësh mësimet e Krishtit me një gjuhë e një shkrim, që njerëzit nuk e njohin e nuk e kuptojnë. Këto mësime duhen paraqitur me fjalë të kuptueshme, prandaj duhen përkthyer, duhen shkrirë me mendësinë e njerëzve të cilëve u predikohen, me një fjalë, duhen inkulturuar. Me këto terma Benedikti XVI vuri në dukje gjenialitetin apostolik të vëllezërve grekë:
“Çirili e Metodi ishin të bindur se popujt e ndryshëm nuk do të mund ta përvetësonin plotësisht Zbulesën, derisa të mos e dëgjonin në gjuhën e tyre e të mos e lexonin me shkronjat e alfabetit të tyre”.
Në se 1200 vjet më parë Moravia e Madhe – apo një pjesë e Evropës lindore, që sot përkon me Sllovakinë e pjesërisht edhe me Hungarinë veriore – ishte teatër i një misioni thellësisht të ri, Çirili e Metodi sillnin nga larg në këtë skenë, historinë e tyre e aftësitë e tyre. Çirili kishte kryer tashmë një shtegtim në zonat e Detit të Zi, ku ishte dërguar t’u fliste saraçenëve e hebrenjve. E natyrisht, para se të nisej, iu desh të mësonte gjuhën e njerëzve, me të cilët e kishte në mend të dialogonte. Pastaj, së bashku me Metodin, u dërgua nga perandori Mikeli III në Moravi, prej nga princi Ratislao kishte bërë këtë kërkesë:
“Populli ynë – pati thënë ai – që kur hoqi dorë nga paganizmi, jeton sipas ligjit të krishterë; por nuk kemi një mësues, që të jetë në gjendje të na e shpjegojë fenë e vërtetë kristiane në gjuhën tonë. Prandaj misioni shumë shpejt do të kishte një sukses të pazakontë”.
Filloi kështu aventura apostolike, e ngarkuar me ngjarje nga më të ndryshmet, edhe të vështira, e pranisë së dy vëllezërve ndërmjet sllavëve. Ajo që ka më shumë vlerë nga kjo prani, është fillimi i një pune tejet të rëndësishme, që më pas e vijuan dishepujt e tyre: projektit të përmbledhjes së dogmave të krishtera, në libra të shkruar sllavisht. E prej këndej vjen edhe alfabeti ‘glagolitik”, i quajtur më pas ‘çirilik’, për nder të atij që e frymëzoi krijimin e tij:
“Në fakt Çirili e Metodi janë një shembull klasik i asaj veprimtarie, që sot quhet me termin ‘inkulturim’; çdo popull duhet ta lidhë ngushtë mesazhin e zbuluar me kulturën e vet e duhet ta shprehë të vërtetën shëlbuese me gjuhën që e kupton më mirë. Kjo lidhet me një një punë shumë impenjative për përkthimin e Shkrimit Shenjt, sepse kërkon të gjinden termat e përshtatshme për ta propozuar, pa e tradhtuar, pasurinë e Fjalës së zbuluar. Për këtë shenjtorët Vëllezër na lanë një dëshmi tejet domethënëse, të cilën Kisha e shfrytëzon edhe sot, duke e shikuar si frymëzim e si orientim”.
Ndërmjet përshëndetjeve përfundimtare të Papës për shtegtarët e shumtë, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, nën diellin e zjarrtë të verës, kujtojmë atë drejtuar, plot gëzim, Abatit Dom Pietro Vitoreli dhe besimtarëve të abacisë së Montekasinos, që erdhën sot në Vatikan për t’i kthyer Atit të Shenjtë vizitën e 24 majit. E, me të njëjtin gëzim, Benedikti XVI përshëndeti edhe Patrikun e Kishës së Antiokisë të siro-katolikëve, Fortlumturinë e Tij, Mar Injac Jusefin III Junan, që vijon vizitën e tij të parë në Vatikan. Duke nënvizuar ‘lidhjen e gjallë’ ndërmjet traditës lindore kristiane dhe Ipeshkvit të Romës, Papa përfundoi me këto fjalë:
Ndërsa ju siguroj Ju, Vëlla i nderuar e të gjithë ata, që ju shoqërojnë, për lutjen time, dëshiroj njëkohësisht t’u shpreh gatishmërinë dhe konsideratën time të gjitha Kishave Lindore katolike, duke i inkurajuar ta vijojnë misionin kishtar, ndonëse ndërmjet mijëra vështirësive, për të siguruar kudo bashkimin e paqen”.







All the contents on this site are copyrighted ©.