2009-06-16 18:02:48

Irani do t’i numërojë pjesërisht votat.


(16.06.2009 RV)Situata në Iran mbetet e nderë një ditë pas protestave kundër Ahmadinexhadit të cilat shkaktuan shtatë të vdekur në radhët e demonstruesve. Këto protesta e shtynë Këshillin e Rojeve - organi më i lartë legjislativ ky në Iran - të deklarojë se është i gatshëm për një numërim të pjesshëm të votave, por kurrsesi për përsëritjen e votimeve presidenciale zhvilluar të premten e kaluar. Kundërshtime tepër të ashpra për këto votime ka pasur veçanërisht nga ana e studentëve të cilët përkrahin kandidatin reformator Mir Hysein Musavi.
Me qindra simpatizantë të Musavit protestuan sot në zonën veriore të kryeqytetit iranian, në afërsi të televizionit shtetëror. Kurse protesta e tyre e meparshme, planifikuar për në sheshin Vali Asër, ku u mbajt edhe manifestimi i mbështetësve të Ahmadinhexhadit, u pezullua pas thirrjes që bëri vetë Musavi me qëllim që të shmangej gjakderdhja e mëtejshme.
Pasqyrimi i ngjarjeve të fundit nga mjetet e informacionit u bë më i vështirë si pasojë e dekretit të Ministrisë iraniane të Kulturës, i cili ua ndaloi gazetarëve të huaj të ishin të pranishëm në këto demonstrata.
Nga fundi i javës që shkoi e deri tani, njoftohet se në vend janë kryer më se dyqind arrestime, ndër të cilat bëjnë pjesë edhe reformatorët Saed Haxharian dhe Muhamed Ali Abtahi, të dy mbështetës të ish-presidentit Khatami, si edhe vetë vëllai i presidentit Khatami.
Ndërkaq Ahmadinexhadi gjendet në Jekaterinburg, Rusi për takimin e Grupit të Shangait. Prej këtej ai nuk harroi të sulmojë edhe një herë SHBA duke thënë se koha e perandorive ka kaluar tashmë







All the contents on this site are copyrighted ©.