2009-06-15 17:57:30

“Të pranohet sfida e Ungjillit”: mesazh i françeskanëve, të mbledhur në Asizi, drejtuar ministrave të ekonomisë së G8.


(15.06.2009 RV)RealAudioMP3 Hynë në fazën përfundimtare punimet e Kapitullit të përgjithshëm të Urdhërit të Fretërve të Vegjël, i cili do të vijojë deri më 20 qershor në Bazilikën e Shën Marisë së Engjëjve në Asizi, përqëndruar tek tema: “Të pranohet sfida e Ungjillit!”. Fretërit e vegjël u drejtuan një mesazh Ministrave të Ekonomisë të G8, mbledhur në Leçe, duke u kujtuar se “njohja e disa të drejtave të patjetërsueshme të njeriut nuk është e mjaftueshme”.
Gjatë Kapitullit u ripohua, ndërmjet tjerash, se mesazhi françeskan , edhe sot e kësaj dite, lidhet ngushtë me vënien e njeriut në qendër të jetës. Këtë thekson, në mikrofonin e Radios sonë, edhe françeskani Mirko Selito, i ngarkuar me shtypin në Kapitull:

Përgjigje: - Françesku nuk deshi ta kufizojë rregullin e vet në fusha të veçanta, por përfshiu në të njeriun me të gjitha nevojat e tij. Rregulli françeskan sot aktualizohet, siç thotë edhe Koncili II i Vatikanit, duke qenë gjithnjë pranë njeriut, me gëzimet e dhimbjet, vuajtjet e shpresat e, sidomos, me përpjekjen për t’i dhënë përgjigje të përshtatshme pyetjeve themelore të shpirtit njerëzor në të gjitha kohët. Atëherë atje ku është njeriu i varfër, materialisht, shpirtërisht a kulturalisht, atje duhet të jenë edhe sivëllezërit e Varfajakut të Asizit, për t’u dhënë përgjigje të krishtera të varfërve të vjetër e të rinj.

 
Pyetje: - Edhe atë José Rodriguez Carballo, në fjalimin e mbajtur pasi u rizgjodh Epor i përgjithshëm, foli për të varfër të rinj. Kush janë këta të varfanjakë?

Përgjigje: - Falë pranisë sonë kapilare në botë, jemi në gjendje t’i njohim këto ‘të varfër, pa bukë e pa të drejta, njerëz që nuk kanë zë në shoqërinë e tyre; që për shkak të ndryshimeve të globalizmit a të dixhitalizmit, mbeten në bisht të zhvillimit shoqëror. Janë këta të varfërit e rinj, që u shtohen atyre, të cilët nuk kanë para, jetojnë në mjerim të plotë, shfrytëzohen deri në palcë. Të varfër të rinj, ndoshta, janë edhe ata, që bota e sotme nuk dëshiron t’i kujtojë, të varfërit e përhershëm, por që sot nuk përfillen fare.







All the contents on this site are copyrighted ©.