2009-06-15 18:12:14

Shën Viti, adoleshent martir


(15.06.2009 RV)(Trapani, shek III- Lukania, 15 qershor 303).
Nuk dihet asgjë e saktë për origjinën e Shenjtit adoleshent, ndonëse në ‘Rrëfimin’ mbi martirizimin e tij, pa kurrfarë vlere historike, shënohet se lindi në Sicili nga një baba pagan e se vuajti shtatë vjet burg, vetëm sepse ishte i krishterë. E vetmja e dhënë e pranueshme mbi jetën e tij, që shënohet edhe në Martiriologun Jeronimian, është se jetoi në Lukaní, ku thuhet se filloi të bënte mrekulli që në moshën 7 vjeçe, Tejet popullor në mesjetë, u radhit në grupin e 14 Shenjtorëve Ndihmës, ndërmjetësimi i të cilëve konsiderohet tepër i frytshëm për të zgjidhur probleme të vështira e për të shëruar sëmundje të rënda.
13 të tjerët janë: Akaçio, Barbara, Vlashi, Katerina e Aleksandrisë, Qiriaku, Kristofori, Dionisi, Egjidi, Erazmi, Eustaku, Gjergji, Margerita e Pantaleoni.
Atij i kërkohet ndërmjetësim për të shëruar letargjinë, zënien nga gjarpëri e kafshimin nga kafshët e tërbuara. Sipas legjendës, Shën Viti, që i mitur, pati shëruar të birin e Dioklecianit, në një moshë me të, që vuante nga epilepsia apo, në gjuhën popullore, sëmundja e tokës.
Për mbarimin e tij, tradita jep të dhënat që janë të zakonshme për të gjithë martirët: dmth se ndonëse i mitur, u bëri ballë torturave e pranoi të derdhte gjakun për Krishtin, duke i qëndruar besnik deri në fund, i ndihmuar edhe nga dadua, Kreshencia, e mësuesi, Modesti, që e rritën dhe e mësuan, edhe ata të arrestuar e të flakur në të njëjtën qeli. Dihet me siguri se u martirizua në Lukaní, ndërsa të gjitha të dhënat e tjera mbi jetën e tij, kanë ngjyrime të forta legjendare. Disa thonë se u mbyt kur ishte vetëm 12 vjeç, të tjerët, 15 e të tjerë akoma, 17 vjeç.
Njihet si pajtor i shurdhmemecave e posaçërisht i balerinëve, për shkak se gjestet e tyre u ngjasin lëvizjeve të epileptikëve. Është edhe pajtor i të pagjumëve e njerëzve të pushtuar nga shejtani.







All the contents on this site are copyrighted ©.