2009-06-15 17:57:01

Në festën e Korpit të Krishtit, “Bukë e jetës”, Papa kujton qindra miliona të uritur dhe kërkon një ekonomi të qëndrueshme, etike, në prag të Konferencës së OKB-së për krizën e ndikimin e saj mbi zhvillimin.


(15.06.2009 RV)RealAudioMP3 Dje, kur në shumë vende të botës kremtohej festa e Korpit të Krishtit, “Bukë e jetës”, Papa tërhoqi vëmendjen e mbarë botës mbi qindra miliona njerëzit, që vuajnë nga uria. Një realitet i papranueshëm - vërejti Benedikti XVI - në atmosferën e Konferencës së OKB-së për krizën ekonomike e financiare, që do të mblidhet më 24 deri më 26 qershor, në Nju Jork.
Më pas Ati i Shenjtë u kërkoi besimtarëve të luten për Vitin meshtarak, që do të fillojë të premten e ardhshme, menjëherë pas përfundimit të Vitit kushtuar Shën Palit.

Në Pallatin e Qelqit, në Nju Jork, do të flitet për krizën ekonomike e financiare dhe për ndikimin e saj mbi zhvillimin: pas lutjes së djeshme të Engjëllit të Tënzot, Ati i Shenjtë, me fjalë të qarta e të prera, i ftoi qeveritarët e liderët e botës të ndryshojnë kursin drejt një bote më të mirë.
“Lutem që pjesëmarrësit në Konferencë si dhe drejtuesit e pasurisë publike e të fateve të planetit, të frymëzohen nga shpirti i urtisë e i solidaritetit njerëzor e që kjo krizë të shndërrohet në mundësi për t’i kushtuar më shumë vëmendje dinjitetit të çdo njeriu, promovimit të ndarjes së drejtë të pushtetit vendimor e të burimeve materiale, e sidomos, numrit, për fat të keq gjithnjë në rritje, të të varfërve”.
Pikërisht në ditën kur shumë vende të botës kremtonin festën e Korpit të Krishtit, që është ‘Bukë e Jetës”, Benedikti XVI kujtoi qindra miliona njerëz, të cilëve u mungon edhe buka e gojës. Realitet krejt i papranueshëm për Papën, i cili me keqardhje shpjegoi se, pavarësisht nga përpjekjet e viteve të fundit, uria vijon të shkaktojë një numër gjithnjë më të madh viktimash nëpër botë.
“Uroj, prandaj, që me rasin e Konferencës së ardhshme të OKB-së, e në selinë e institucioneve ndërkombëtare të merren vendime të përbashkëta, të miratuara nga mbarë bashkësia ndërkombëtare e të zgjidhen strategjitë, nganjëherë jo të lehta për t’u pranuar, që janë të nevojshme për t’u siguruar të gjithëve, sot e në të ardhmen, ushqimet kryesore e jetën dinjitoze”.
Pas Lutjes mariane, Ati i Shenjtë shpjegoi kuptimin e Festës së Korpit të Krishtit, ‘ditë që merr përmasa kozmike”, festë, në qendër të së cilës është simboli i bukës, fryt i tokës e i qiellit. Ja, pra, Buka eukaristike është shenjë e dukshme e Atij, në të cilin qielli e toka, Hyji e njeriu bëhen një gjë e vetme. Kështu Korpi i Krishtit është dëftim i Hyjit, që na dëshmon se Zoti është dashuri.
Duke e parë Atë e duke e adhuruar, ne themi: po, dashuria ekziston, e me që ekziston, gjërat mund të ndryshojnë për mirë e ne mund të shpresojmë. E shpresa, që vjen nga dashuria e Krishtit, na jep forcë të jetojmë e t’i përballojmë të gjitha vështirësitë”.
Për këtë Bukë – nënvizoi Ati i Shenjtë – kemi nevojë të gjithë, sepse i gjatë e i mundimshëm është shtegu që çon drejt lirisë, drejtësisë e paqes.
Para se të përshëndetej me besimtarët, mbledhur me shumicë në Sheshin e Shën Pjetrit, nën një diell përvëlues, Papa u kërkoi të luten posaçërisht për Vitin meshtarak, që do të fillojë me kremtimin e Lutjeve mbrëmësore, të kryesuara nga Benedikti XVI në Bazilikën e Vatikanit, të premten e ardhshme, më 19 qershor, në festën e Zemrës së Krishtit. Fillon kështu një vit i ri jubilar, që përkon me 150-vjetorin e vdekjes së Shën Gjon Maria Vianejt, i cili me këtë rast do të shpallet nga Papa “Pajtor i gjithë meshtarëve të botës”, të cilët sot janë 408 mijë.
“Uroj që ky vit i ri jubilar të jetë rast i përshtatshëm për të thelluar vlerën e rëndësinë e misionit meshtarak e për t’iu lutur Zotit t’i dhurojë Kishës së vet meshtarë të shumtë e të shenjtë”.
Së fundi, gjatë përshëndetjeve drejtuar besimtarëve, Benedikti XVI kujtoi posaçërisht disa drejtues të sipërmarrjeve të mëdha ndërkombëtare, duke prekur përsëri temën ekonomike e duke i inkujaruar ta përballojnë sfidën e ekonomisë së qëndrueshme dhe etike.







All the contents on this site are copyrighted ©.