2009-06-13 15:05:32

Rregulltaret në internet kundër tregtisë së njerëzve


(12.06.2009 RV)RealAudioMP3 “Rregulltaret në rrjet kundër tregtisë dhe shfrytëzimit seksual të grave e të fëmijëve”: u paraqit sot, pranë Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Kongresi 2009, organizuar nga Bashkimi Ndërkombëtar i Eproreve të Përgjithshme (UISG) dhe Organizata Ndërkombëtare për Emigracionin (OIM), pikërisht për temën e skllavërive moderne e të shpërdorimit seksual.
Kongresi, i dyti i kësaj natyre, do të mblidhet në Romë, më 15 deri më 18 qershor, pranë Institutit ‘Vëllezërit e Shkollave të Krishtera”.
Vështirë të japësh statistika, por mund të thuhet se më se 2 milion e gjysëm njerëz janë çdo vit viktima të shfrytëzimit seksual: 500 mijë në Evropë e rreth 30 mijë në Itali. Janë të dhëna të Komisionit Evropian, që flet edhe për ndikimin ekonomik të këtij shfrytëzimi, nga i cili kriminelët fitojnë rreth 150 miliard euro në vit. Bandat kriminale janë të mirëorganizuara, prandaj edhe veprimtaria kundër tyre duhet organizuar me frymën e bashkëpunimit, duke krijuar një rrjet të fuqishëm ndërmjet vendeve prej nga vijnë, ku kalojnë e ku drejtohen. Për këto probleme, që do të thellohen e do të saktësohen në Kongres, u fol sot në paraqitjen e këtij takimi të rëndësishëm, pranë Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, për problematikën e të cilit motra Bernardetë Sangma, shprehet kështu:
“Niveli i zvetënimit njerëzor në këtë tregti, posaçërisht kur flitet për shfrytëzimin seksual, është tejet i rëndë, prandaj edhe rifitimi i dinjitetit të humbur nga ana e viktimave, po aq i vështirë. Kjo është arsyeja për të cilën shumë kongregata rregulltare femërore janë radhitur në luftën për parandalimin e fenomenit”.
Në vijim motra Bernardetë, bën edhe një padi tejet të trishtuar:
“Logjika e tregut na thotë se nuk ka ofertë pa kërkesë. Për fat të keq, me hidhërim vërejmë se një pjesë e kërkesës vjen edhe nga bashkëshortë e etër familjesh të cilët, madje, e quajnë veten të krishterë praktikantë”.
Prandaj rregulltaret kanë menduar t’i venë prita këtij fenomeni që në vitin 2001, kur nisën të punojnë jo vetëm për denoncimin e shfrytëzimit seksual të grave e të fëmijëve, por edhe e sidomos, për parandalimin e tij.







All the contents on this site are copyrighted ©.