Liturgjia e Fjalës së Zotit e solemnitetit të Korpit e Gjakut të Krishtit
(13.06.2009 RV)Ja përsëri në takimin
javor të shtunës me Fjalën e Zotit të liturgjisë Hyjnore të së dielës. Kësaj here
do të dëgjojmë e meditojmë së bashku Fjalën e Zotit të festës së solemnitetit të Korpit
e Gjakut të Krishtit. Festa e Korpit të Krishtit është mister i pakapshëm për mendjen
njerëzore nëse nuk ndriçohet nga feja, nëse nuk frymëzohet e gjallërohet nga dashuria
e Krishtit. Kjo festë na kujton Sakramentin, në të cilin Krishti na la gjithë vetveten:
korp e gjak, shpirt e hyjni. Prandaj edhe është konsideruar gjithnjë si më i shenjti
ndër sakramente. I Shenjtueshmi Sakrament, kujtesë e gjallë e flijimit të Krishtit
Shëlbues, themeluar atë të Enjte të cilën e quajmë të Shenjtë e të Madhe, kur Shpëtimtari
i njerëzimit, kremtoi Pashkët e tij të fundit me apostujt e vet: ishte Darka e Mbrame,
përmbushje e darkës së Pashkëve hebraike dhe përurim i ritit eukaristik. Në Eukaristinë
Shenjte, Jezusi vërtetë dhuron Korpin e Gjakun e tij, bëhet Bukë e gjallë, ushqim
i pashtershëm për të gjithë shekujt. Eukaristia, themeluar nga Jezu Krishti në Darkën
e Mbrame me apostujt, është Sakramenti intim, familjar, prandaj në Kishën e lashtë,
kur jepej kungimi, shqiptoheshin fjalët: “sancta sanctis – dhuratë shenjte për shenjtorët”.
Kështu, “secili më parë të shqyrtojë mirë vetveten e pastaj të hajë nga kjo bukë e
të pijë nga ky Kelk!”. Megjithëse Eukaristia është forcë e cila shkon përtej mureve
të Kishave tona, sepse në këtë Sakrament Zoti është gjithnjë për udhë, drejt botës,
udhëve të njerëzimit. Për këtë Fjala e Zotit e kësaj feste na thërret të bëhemi rrugë
e Krishtit që përshkon botën me dritën e Tij Jetëdhënëse. Në Bukën Eukaristike ne
bashkohemi me Krishtin, e lemë veten të përshkohemi e të depërtohemi, të përshkohemi
nga Ai që është Zot, Krijues, Shëlbues. Jeta jonë shkrihet me të Tijën, shndërrohet
në jetën e Tij, që është dashuri e gjallë. Kështu Adhurimi Eukaristik bëhet pjesë
e domosdoshme për t’u bashkuar përherë e më tepër me Të. Kjo festë na flet me një
gjuhë të mbinatyrshme, të vështirë për mendjen tonë njerëzore, e cila mbetet si e
mundur nga misteri. Prandaj për t’i zbuluar thellësitë mahnitëse të pranisë së Krishtit
në trajtën e bukës e të vërës, duhet pasur fe të gjallë, apo më mirë lypet feja e
gjallëruar nga dashuria. Vetëm kush beson e kush dashuron, mund të kuptojë paksa nga
ky mister i pagabueshëm i fesë së krishterë, falë të cilit Zoti bëhet i afërt me vogëlsinë
tonë njerëzore, kërkon lumturinë tonë, na tregon se Ai është dashuria e pakufishme
që dhuron jetën e pavdekshme. “ Ky është Korpi im, ky është Gjaku im”: këto fjalë
i dëgjojmë çdo herë që kremtojmë Meshën Shenjte, Eukaristinë, do të thotë përkujtimin
e Besëlidhjes së Re e të Amshuar që Zoti ka vendosur me njerëzimin nëpër Birin e vet
Jezu Krishtin, për shëlbimin (shpëtimin) e mbarë botës. Pra, në misterin e shenjtë
të Korpit e Gjakut të Jezus Krishtit, Zoti i jep njerëzimit dhuratën e jetës, të bashkimit
dhe të paqes. Në Sakramentin e Eukaristisë që është burim e kult i çdo shenjtërie,
i çdo fuqie shpirtërore, besimtarët e adhurojnë Zotin dhe shpallin lavdinë e Tij të
përjetshme. Leximet biblike të kësaj së diele janë nga: Dal 24,3-8; Ps 116(115);
Heb 9,11-15; Mk 14,12-16.22-26.