2009-06-13 14:58:48

Editorial i Atë Federiko Lombardit mbi Vitin kushtuar meshtarëve


(13.06.2009 RV)RealAudioMP3 Më 19 qershor, Papa Benedikti XVI do të shpallë fillimin e Vitit kushtuar meshtarëve. Por a është ky, një vit vetëm për meshtarët? Të dëgjojmë komentin e zëdhënësit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, njëkohësisht edhe drejtori ynë i përgjithshëm:
“Edhe meshtarët duhet të kujtohen për lutjen!”. Me këto fjalë, Benedikti XVI e ka shoqëruar shpesh dhënien e rruzareve për priftërinjtë, që e përshëndesin në përfundim të ndonjë audience ose të ndonjë takimi me të. Mua më ka ndodhur mëse një herë.
Këto fjalë më erdhën ndërmend kur Papa shpalli “Vitin Meshtarak” që do të fillojë, në 150-vjetorin e vdekjes së Shën Gjon Maria Vianejt, Famullitarit të Shenjtë të Arsit, model i shkëlqyer përshpirtërie dhe zelli për të gjithë meshtarët, sidomos nëse impenjohen në veprimtarinë baritore.
“Është gjithnjë i fortë tundimi për ta reduktuar lutjen në një çast të sipërfaqshëm ngutjeje, duke e lënë veten në dorë të veprimtarive e shqetësimeve njerëzore”, thotë më pas Papa. I bëjnë jehonë fjalët e Famullitarit të Arsit: “Ka disa që duket sikur i thonë kështu Zotit: ‘Kam vetëm dy fjalë për të thënë, kështu do të mbaroj shpejt e do të largohem prej Teje”.
Nëse problemi i bashkimit me Hyjin është për të gjithë të krishterët, ai është i tillë veçanërisht për meshtarët, që thirren nga çdo anë, ndërsa numri i tyre zvogëlohet ose mbetet më i vogël nga ç’pritet e ç’duhet.
Natyrisht, shenjtëria e meshtarëve është para së gjithash përgjegjësi e tyre, por ka të bëjë edhe me krejt bashkësinë e besimtarëve. Mjaftojnë pak meshtarë të padenjë për ta lëkundur thellë besueshmërinë e Kishës. E nga ana tjetër, solidariteti shpirtëror i bashkësisë është mbështetje e fuqishme për jetën e tyre shpirtërore dhe apostolike. Me një fjalë: Viti Meshtarak nuk vlen vetëm për priftërinjtë, por për të gjithë.







All the contents on this site are copyrighted ©.