Benedikti XVI Fondacionit "Centesimus Annus": kriza kapërcehet me një sistem ekonomik
të bazuar mbi etikën e solidaritetin
(13.06.2009 RV)Benedikti XVI priti
në audiencë anëtarët e Fondacionit “Centesimus Annus Pro-Pontifice”, i cili është
formuar në vitin 1993, me qëllim që të përhapë në botën ekonomike dhe afariste parimet
e Doktrinës Shoqërore të Kishës. Bota, në krizë globale, ka nevojë për një “ekonomi
moderne”, solidare, që respekton të drejtat e më të dobtëve e në përgjithësi, dinjitetin
e njeriut. Fjala “moderne” në fjalorin e Atit të Shenjtë duhet kuptuar si ajo që lidh
ngushtë tregun, ndërmarrjen, zhvillimin ekonomik me të mirën e përbashkët, këndvështrimin
etik mbi punën, respektimin e njeriut: “Në fakt, kriza financiare dhe ekonomike
që ka goditur vendet e industrializuara, ato që po dalin tani mbi ujë e ato në zhvillim
e sipër, tregon qartë se si duhen rimenduar disa paradigma ekonomiko-financiare, dominuese
gjatë viteve të fundit”. E më pas, Benedikti XVI lavdëroi ata që e kanë parë
botën e ekonomisë dhe të financës duke u nisur nga idealet e krishtera: “Mirë
ka bërë pra, Fondacioni juaj, që ka përballuar me Kuvendin ndërkombëtar të djeshëm,
temën e kërkimit dhe të gjetjes së vlerave e të rregullave, të cilave duhet t’u përmbahet
bota ekonomike për të vënë në jetë një model të ri zhvillimi, më të kujdesshëm ndaj
kërkesave të solidaritetit dhe të dinjitetit njerëzor”. “Vlera e rregulla”.
Benedikti XVI nguli këmëbë në këtë binom, duke kujtuar disa nga pasazhet e Enciklikës
“Centesimus Annus”. Ekonomia e tregut, apo ai “sistem ekonomik që njeh rolin pozitiv
të ndërmarrjes, të tregut, të pronës private e të përgjegjësisë për mjetet e prodhimit
që pason, të krijimtarisë së lirë njerëzore në sektorin e ekonomisë” – theksoi Papa
– do të jetë rrugë përparimi ekonomik e qytetar, vetëm nëse orientohet nga e mira
e përbashkët. E më pas, nënvizoi: “Uroj që hetimet e bëra në punimet tuaja,
të frymëzuara nga parimet e përjetshme të Ungjillit, të çojnë drejt një ekonomie moderne,
që respekton nevojat e të drejtat e më të dobtëve. Siç e dini, do të publikohet së
shpejti Enciklika ime kushtuar temës së gjerë të ekonomisë e të punës: në të do të
vihen në dukje ato që janë për ne të krishterët objektivat për t’u ndjekur e vlerat
për t’u nxitur e mbrojtur pa u lodhur, që të realizohet një bashkëjetesë njerëzore
me të vërtetë e lirë dhe solidare”. Papa falenderoi Fondacionin për ndihmën
që i ka dhënë Institutit Papnor për Studimet Arabe dhe Islamistike, i cili kontribuon
në dialogun ndërfetar me Islamin.