Sot me 12 qershor kalendari Kishtar përkujtoi Shën Onufrin, vetmitar
(12. 06. 09 R.V.) Pafnuci, murg në Egjiptin e shekullit V, duke dashur të takojë
vetmitarët, për ta njohur nga afër jetën e tyre, për të cilën flitej aq shumë në atë
kohë e në atë zonë, u nis drejt shkretëtirës në kërkim të tyre. Pas 21 ditësh, u ul
të pushonte përdhe, i lodhur e i këputur. Papritmas pa para vetes një figurë njerëzore
të tmerrshme, mbuluar prej koke ndër këmbë nga flokët e gjatë e nga disa gjethe. Kjo
mënyrë për të mbuluar trupin ishte e zakonshme për vetmitarët, të cilët qenë mësuar
të rrinin fare vetëm, pa i parë kush tjetër, veç engjëjve. E prandaj kishin hequr
dorë nga veshjet, të cilat shkretëtira i shkatërronte shpejt. E në sa vijonin atë
mënyrë jetese, larg çdo vendi të banuar, nuk e kishin të lehtë t’ zevendësonin me
veshje të tjera. Në fillim Pafnuci u tmerrua e deshi të ikte me vrap, por figura
njerëzore i foli e iu lut të rrinte. Atëherë e kuptoi se kishte gjetur pikërisht atë
që kërkonte: një vetmitar. Si u bënë miq, nisën t’i tregonin njëri-tjetrit gjithçka.
Vetmitari i tregoi Pafnucit se quhej Onufër e se jetonte që prej 70 vjetësh në shkretëtirë,
pa parë kurrë frymë njeriu. Ushqehej me barishte e pushonte shpellash. Në fillim kishte
jetuar në një manastir të Tebaides në Ermopolis, së bashku me njëqind murgjër të tjerë.
Por, duke dëshëruar të ndjekë shembullin e Shën Gjon Pagëzuesit e të Elisë Profet,
kishte lënë manastirin e i ishte kushtuar jetës oshënare. Si kishte hyrë në zonën
e jeremive me pak ushqim në trastë, ishte takuar në një shpellë me një vetmitar tjetër,
të cilit i qe lutur ta mësonte si ta jetonte këtë jetë kaq të jashtzakonshme. E ai
ia kishte plotësuar dëshirën. E kishte çuar në një oazë, ku kishte ndenjur me të 30
ditë e pastaj e kishte lënë vetëm, duke u kthyer në shpellën e vet. Një herë në vit
i bënte një vizitë për ta ngushëlluar. Gjatë njërës nga këto vizita, sapo kishte arritur,
qe përkulur për ta përshëndetur e, papritur, qe shtrirë përdhe pa frymë. Ai e pati
varrosur në një vend pranë shpellës ku strehohej. Onufri i tregoi pastaj Pafnucit
si i përshtatej ndryshimit të stinëve e si e ndihmonte një engjull, që i sillte ushqimin
e Kungimin Shenjt, mrekulli të cilën më pas e pa edhe vetmitari i ri. Vijuan kështu
bisedat, deri një ditë kur Onufri e porositi të largohej nga ai vend, të kthehej në
Egjipt e të tregonte çka kishte parë. Si kreu së foluri e bekoi e dha shpirt. Pafnuci
e mbuloi me një copë të mantelit të vet dhe e varrosi në një plasë shkëmbi. Pra se
të nisej, një tërmet e shkatërroi shpellën ku kishte jetuar Onufri, duke treguar se
vullneti i Zotit ishte që në atë vend të mos jetonte më asnjë vertmitar. Atëherë
Pafnuci u nis e, në vijim të jetës së tij si murg, shkroi “Jetën e Shën Onufrit” në
të cilën pohon se jeta vetmitare në shkretëtirë, është më e përkryera për njeriun
e se Shën Onufri vdiq më 11 qershor. Sidoqoftë, Kisha e kremton më 12 qershor. Kulti
i Shenjtit u përhap në të gjitha vendet e Azisë së Vogël e të Egjpitit, në sa figura
e tij, me flokët e gjatë e gjethet në vend të petkut, vijon t’i frymëzojë artistët.