2009-06-12 16:44:01

Rregulla e vlera për një zhvillim të qëndrueshëm e solidar: takim i Fondacionit “Centesimus Annus” në Gregoriana


(12.06.2009 RV)RealAudioMP3 “Rregulla e vlera për një zhvillim të qëndrueshëm e solidar”: kjo është tema e takimit ndërkombëtar, organizuar nga Fondacioni “Centesimus Annus – Pro Pontefice”, që po mbahet në Universitetin Papnor Gregorian në Romë.
Në këtë takim, i cili nisi me një Meshë, kremtuar nga kryeipeshkvi Klaudio Maria Çeli, asistent ndërkombëtar i Fondacionit, marrin pjesë shumë ekonomistë, të cilët po shkëmbejnë mendime për realitetin e sotëm ekonomik e financiar, parë në dritën e Doktrinës Shoqërore të Kishës. Nesër kardinali Atilio Nikora do të kremtojë, pranë Shpellës së Lurdës, në Kopshtet e Vatikanit, Meshën për anëtarët e Fondacionit, të cilët më pas do të takohen me Papën. Për një reflektim mbi temën e takimit, ftuam në mikrofonin tonë profesor Alberto Kuadrio Kurzio-n, kryetar i Komitetit Shkencor të Fondacionit:

Përgjigje: - Ne mendojmë se vlerat themelore, sipas mësimit shoqëror katolik, që jep një orientim ideal, janë tri: vlera e solidaritetit krijues, vlera e ndihmës si shprehje e demokracisë në veprim, dhe roli i ekonomisë, edhe ky i rëndësishëm. Por duhet pasur mirë parasysh se ekonomia ka nevojë për një shpirt të bazuar mbi etikën. E këtë e kanë theksuar shumë herë si Gjon Pali II, ashtu edhe Benedikti XVI. Për fat të keq, e kaluara flet për vërshimin e formave të ndryshme të spekullimit e, prej këndej, edhe për zhvleftësimin e vlerave të etikës së punës, të fantazisë krijuese e të aftësisë për të hapur rrugë të reja zhvillimi. Shpresoj se kjo krizë, shumë e rëndë dhe e dhimbshme, do të ndikojë që të gjithë njerëzit jo vetëm t’i kuptojnë këto vlera, por edhe t’i pohojnë, përmes bashkëpunimit ndërkombëtar e rrugës së dialogut.







All the contents on this site are copyrighted ©.