2009-06-12 16:43:15

Kryeipeshkvi Tomazi: rruga për të dalë nga kriza kërkon mbrojtjen e vendeve të punës dhe të dinjitetit të punëtorëve.


(12.06.2009 RV)RealAudioMP3 Lakmia e pangopur e disa drejtuesve të ekonomisë është një nga shkaqet themelore, në zanafillë të krizës së rëndë financiare, që po trondit sot mbarë botën. Kështu u krijua një ekonomi dixhitale, e shkëputur nga aftësia prodhuese reale, nga shërbimet shoqërore e nga vlerat etike. Këtë theksoi vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë OKB-së së Gjenevës, imzot Silvano Maria Tomazi, gjatë fjalimit të mbajtur dje në Konferencën vjetore të Organizatës ndërkombëtare të punës (Ilo), që filloi punimet në Gjenevë më 3 qershor e do të përfundojë më 19 të muajit në vijim. Në takimin e madh marrin pjesë rreth 4 mijë delegatë, përfaqësues të qeverive, të botës së sipërmarrjeve e të punëtorëve, që po ndajnë së bashku shqetësimet për ndikimin e krizës mbi tregun e punës.
Duke folur në mikrofonin e Radio Vatikanit, Imzot Tomazi rikujtoi se për të dalë nga kriza aktuale ekonomike e financiare, duhet të merren masa urgjente e konkrete, që kanë të bëjnë me ndryshimin e sjelljes, të rregullave e të vlerësimeve të gabuara, që e shkaktuan.
M’u duk e arsyeshme të kujtoj, para së gjithash – tha përfaqësuesi i Vatikanit - se kriza nuk është thjeshtë rezultat i funksionimit të keq të ndonjë ingranazhi të mekanizmit ekonomik, por kryesisht, rezultat i mungesës së vlerave etike. E pikërisht mospërfillja ndaj këtyre vlerave është në rrënjë të krizës.







All the contents on this site are copyrighted ©.