2009-06-12 16:43:37

Ipeshkvijtë italianë botojnë “Letër njerëzve që kërkojnë Zotin”: intervistë me imzot Bruno Forte


(12.06.2009 RV)RealAudioMP3 Si besimtarë në Jezu Krishtin, të shtyrë nga dëshira për ta bërë të njohur Atë, që i jep kuptim e shpresë jetës sonë, u drejtohemi me respekt e miqësi të gjithë njerëzve në kërkim të Zotit”: kështu fillon kjo “Letër drejtuar kërkuesve të Zotit”, përgatitur nga Komisioni i Konferencës ipeshkvnore italiane për doktrinën e fesë, kryesuar nga kryeipeshkvi i Kieti-Vastos, Bruno Forte. Dokumenti, botuar sot i plotë në gazetën italiane ‘Avvenire’, niset nga disa pyetje, që lindin në shpirtin e shumë njerëzve, për të propozuar, pastaj, kumtimin e krishterë.
Në mikrofonin e Radios sonë, Imzot Bruno Forte, thekson arsyet që e shtynë ta hartonte këtë Letër:

Përgjigje: - Në shoqërinë pas-moderne, duket gjithnjë më qartë se transmetimi i fesë nuk mund të konsiderohet i përfunduar. Kemi nevojë ta kumtojmë gjithnjë sërisht kerygmën, dmth mesazhin kryesor, të gëzueshëm, të dashurisë së Zotit, që na u dëftua në Jezu Krishtin. E kjo nevojë për kumtimin e parë, tejet e dukshme në shoqëritë e shekullarizuara të perëndimit, por edhe në vendet ku Ungjilli njihet vetëm pjesërisht, të shtyn të mendosh se tekstet, si Katekizmi i Kishës, kanë rëndësi të dorës së parë. E megjithatë, as ky tekst nuk i përgjigjet kërkesës për kumtimin e parë, sepse është e nevojshme të themi shumë, me pak fjalë. Ja, pra, pse teksti i Letrës i përgjigjet kërkesës. Një paraqitje e shkurtër, që përmbledh Ungjillin, mesazhin e fesë, në të cilën ndjehet dëshira për të thënë shumë, pa u zgjatur, ndonëse, natyrisht, jo gjithçka mund të zhvillohet e të thellohet, si në tekstet e Katekizmit.

Pyetje: - Letra shkruhet me një gjuhë të thjeshtë, të drejtpërdrejtë,e nganjëherë edhe me stilin e bisedës…

Përgjigje: - Natyrisht. Pikërisht për të dëshmuar fytyrën e një Kishe mike, gjithnjë pranë zemrës njerëzore, së cilës dëshiron t’i flasë, ta ndihmojë për t’i dhënë përgjigje pyetjeve të mëdha, që e mundojnë. Nuk duam të flasim për Kishën që thotë ‘jo, që ndalon, por, sipas mësimeve të Benediktit XVI, për mesazhin e Kishës, e cila i thotë ‘po’ Hyjit në Jezu Krishtin, i thotë ‘po’ jetës, dashurisë, gëzimit, bukurisë, që përçon Ungjilli i Jezu Krishtit në botë.







All the contents on this site are copyrighted ©.