2009-06-12 17:11:48

10-vjetori i çlirimit të Kosovës nga dhuna serbe


(12.06.2009 RV)RealAudioMP3 Ditë e shënuar sot për Kosovën, e cila festoi 10-vjetorin e fundit të luftës me forcat serbe të Sllobodan Millosheviçit. Pikërisht më 12 qershor 1999, forcat e NATO-s hynë në vend, pas bombardimeve që vazhduan për 78 ditë me radhë.
E kush nuk i kujton radhët e gjata me kosovarë, që kapërcenin të frikësuar kufirin me Shqipërinë, për të ikur nga persekutimet e nga masakrat serbe? Akoma sot, numërohen mijëra të zhdukur, fati i të cilëve nuk dihet. Me ndryshimin e regjimit në Serbi janë gjetur disa varre masive, ku millosheviçianët e dikurshëm patën hedhur kufomat e shqiptarëve, por kjo plagë mbetet ende e hapur.
Pikërisht dje, Pakti i Atlantikut vendosi të reduktojë kontingjentin ushtarak në Kosovë nga 14 mijë në 2500 vetë, por natyrisht, ky zvogëlim do të bëhet gradualisht. Sot, presidenti i Kosovës dhe autoritetet e tjera të vendit e falenderuan NATO-n për impenjimin e çmuar në çlirimin e vendit nga dhuna serbe, në mbrojtjen e paqes e të bashkëjetesës paqësore e në arritjen e pavarësisë. Sëbashku me 10-vjetorin e çlirimit, Kosova feston sot edhe një vjetorin e Kushtetutës së saj.
Pavarësisht nga hapat e rëndësishme përpara, mbeten akoma probleme të mëdha për t’u zgjidhur, siç janë marrëdhëniet me bashkësinë serbe që jeton në vend. Sipas përfaqësuesve serbë, të përqëndruar kryesisht në Mitrovicë, është e vërtetë se politika e Millosheviçit në Kosovë ishte e gabuar, por edhe bashkësia ndërkombëtare nuk është treguar e aftë të vendosë e ta ruajë ashtu si duhet paqen. Të dëgjojmë të ngarkuarin me punë për Kosovën në Itali, Albert Prekaj…..RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.