2009-06-11 10:20:17

Sot më 11qershor Kisha kremton festën e Korpit të Krishtit


(11.6.2009 RV)Sot Kisha kremton festën e Korpit të Krishtit. Festa e Corpus Domini – Korpit të Krishtit është dita në të cilën Kisha dëshiron të vërë theksin mbi misterin e madh të Korpit e të Gjakut të Krishtit në Eukaristinë Shenjte. Zoti Jezus e themeloi Eukaristinë të Enjten e Madhe të Pashkëve. Por Kisha, me kalimin e kohës, zgjodhi një ditë tjetër për të vënë në pah misterin Eukaristik, posaçërisht jashtë Meshës. Kështu shfrytëzoi rastin e mrekullisë Eukaristike së Bolsenës, ndonëse duhet theksuar se feja jonë nuk bazohet mbi këtë mrekulli, por mbi zbulimin hyjnor të misterit. Atëherë mund të themi se festa e Korpit të Krishtit e vë theksin mbi adhurimin e Jezusit në të Shenjtnueshmin Sakrament, gjatë Meshës e jashtë saj. Kremtimi Eukaristik është vërtetë i lidhur me adhurimin e Eukaristisë jashtë Meshe, sepse është i njëjti Sakrament që nuk mbaron kurrë, por vijon. Në përfundim të Meshës, hostet e shuguruara gjatës Meshës që kanë mbetur pas Kungimit të popullit, rivendosen në Tabernakull. E kështu i njëjti Jezus vijon të jetë i pranishëm. Më kohë dalë-nga-dalë në Kishë lindi e u zhvillua praktika e adhurimit eukaristik, vizita që i bëjnë besimtarët të Shenjtnueshmit Sakrament e në veçanti, procesioni eukaristik. Nuk mjafton ta adhurojmë Krishtin vetëm si individë. Është e drejtë që edhe si bashkësi besimtarësh të bëjmë një procesion në nder të Jezusit të pranishëm në të Shenjtnueshmin Sakrament, ta adhurojmë, ta duam, të këndojmë himne në lavd të Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.