(11.06.2009 RV)E tani dëgjues të
nderuar ja disa fjalë mbi historinë e solemnitetit të Korpit të Krishtit. Festa e
Korpit të Krishtit mbyll ciklin e festave të kohës së pas Pashkëve e kremton misterin
e Eukaristisë. Duhet thënë se solemniteti i Korpit dhe Gjakut të Shenjtnueshëm të
Krishtit, latinisht "Corpus Domini", filloi të kremtohej që më 1246 kur, duke pranuar
dëshirën e një murgeshe të vitit 1246 dhe devocionet Eukaristike të lindura në shekujt
XII e XIII, për t'iu kundërvënë doktrinave heretike rreth pranisë reale të Krishtit
në lëndët e shuguruara gjatë Meshës, pra në bukë e në verë, kjo festë u shtri në
Kishën mbarë nga Papa Urbani IV përmes bulës Transiturus të 11 gushtit të vitit 1264.
Qe pikërisht ky papë i cili e kremtoi personalisht festën e parë të Korpit të Krishtit
në qytetin e Italisë Orvieto, më 19 qershor të njëjtin vit 1264, me solemnitet të
madh. Në këtë kohë ndodhi edhe mrekullia e Bolsenës në Lazio (Itali), më 1263 kur
një meshtar bohem, Pjetri nga Praga, i cili kishte dyshime mbi praninë reale të e
Krishtit në Eukaristi, ndërsa kremtonte Meshën, pa sesi nga hostja e shuguruar nisi
të pikonte gjak. I njoftuar për faktin e mrekullueshëm, Urbani IV ngarkoi ipeshkvin
e Orvietos t'ia sillte linin shenjt të përgjakur dhe shkoi personalisht ta merrte
këtë dëshmi kaq tronditëse të pranisë së Krishtit. Në Romë kremtimi filloi që
nga njëmijë e katërqinda, në kohën e papës Nikolla V, me Meshën në Bazilikën e Shën
Gjonit në Lateran dhe procesionin drejt Bazilikës së Shën Marisë së Madhe, që përshkohet
nëpër rrugën Merulana qysh nga viti i largët 1575. Që prej tre shekujsh, papët e ndryshëm
që janë ulur në fronin e Shën Pjetrit, kanë vijuar, me pak ndërprerje, të ndjekin
të njëjtën rrugë, duke mbledhur miliona besimtarë rreth Eukaristisë, burim i bashkimit
e ushqim kryesor për jetën e të pagëzuarve. Secili besimtar ftohet në këtë solemnitet
të ulet rreth sofrës Eukaristike, ku ka vend për të gjithë, e të shijojë më mirë Praninë
e Krishtit, që kremtohet çdo ditë e çdo vit.