2009-06-11 20:08:31

Eukaristia na bën të aftë të jetojmë besnikërisht në bashkim me Zotin, kështu tha Papa në homelinë e Solemnitetit të Korpit të Krishtit kremtuar sot në Vatikan.


(11.06.2009 RV)RealAudioMP3 Papa Benedikti XVI sot në ora 19, në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran në Romë, kremtoi Meshën Shenjte në solemnitetin e Korpit të Krishtit, në mbrabim të së cilës pasoi procesioni tradicional përgjatë udhës Merulana nga Bazilika e Lateranit deri tek Bazilika e Shën Marisë së Madhe. Ky procesion eukaristik i udhëhequr nga Ati Shenjtë Racinger, me pjesëmarrje të qindra besimtarëve romakë e të ardhur prej vendeve të ndryshme, posa ka përfunduar pikërisht në këto momente që kemi filluar programin në gjuhën shqipe.
Po kujtojmë se solemniteti i sotëm liturgjik i Korpit të Krishtit, për arsyena baritore , pra për të mundësuar pjesëmarrjen e besimtarëve në Meshë, gati në të gjitha Kishat e botës e kështu edhe në ato të trevave shqiptare, do të kremtohet këtë të diele më datën 14 qershor.
Po t’i kthehemi Meshës solemne të kremtuar nga Benedikti XVI në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran të Romës. Gjatë homelisë së Meshës, Ati i Shenjtë u ndal tek kuptimi dhe historiku i solemnitetit të Korpit e të Gjakut të Krishtit. Eukaristia është takim i rëndësishëm feje për çdo bashkësi të krishterë me Hyjin përmes flijimit shpëtimprurës të Jezu Krishtit, tha Papa.
Kremtimi eukaristik i solemnitetit të Korpit të Krishtit na çon në Çenakull, ku Jezusi e themeloi Eukaristinë e gjatë Darkës së Mbrame, gjatës së cilës Ai bashkë me nxënësit e vet lidhi besëlidhjen e re, besëlidhje e vulosur jo me flijimin e kafshëve siç ndodhte në të kaluarën, por me gjakun e vet, që u bë “gjaku i besëlidhjes së re”. Papa
“Eukaristia, duke përtëri flijimin e Kryqit, na bënë të aftë të jetojmë besnikërisht në bashkim me Hyjin. Të ushqyer me Krishtin, ne, nxënësit e tij, marrim misionin për të qenë “shpirti” i këtij qyteti tonë, tharmë i ripërtëritjes, bukë e “ndarë” për të gjithë, sidomos për ata që gjenden në situata të vështira të varfërisë e vuajtjes fizike dhe shpirtërore. Bëhemi dëshmitarë të dashurisë së tij”.
Në vijim të homelisë, Papa Benedikti XVI iu drejtua meshtarëve, të cilët Krishti i ka zgjedhur për të jetuar bashkë me Të për shpëtimin e botës, e këndej i porositi me këto fjalë:
“ Vetëm nga bashkimi me Jezusin mund të nxjerrni atë begati shpirtërore që është burim shprese në misionin tuaj baritor. Kujton Shën Leoni Madh se “pjesëmarrja jonë në korpin e gjakun e Krishtin nuk ka tjetër synim përveç se të na bëjë atë që marrim”. Nëse kjo është e vërtetë për çdo të krishterë, është edhe më tepër për ne meshtarët. Të jemi Eukaristi!"
Në vazhdim Papa u bëri thirrje meshtarëve të jenë dëshmitarë besnik e të besueshëm të Krishtit Zot e Shpëtimtar para njerëzve që kërkojnë domethënien e jetës. E pikërisht kjo le të jetë dëshirë e impenjim i përhershëm i meshtarëve, në mënyrë që flija e korpit dhe e gjakut që ofrohen mbi elter, të shoqërohen edhe me flijimin e jetës së tyre për të mirën e njerëzve:
“Çdo ditë, nga Korpi e Gjaku i Krishtit Zot marrim atë dashuri të lirë e të pastër që na bënë mbarështues të denjë të Krishtit e dëshmitarë të gëzimit të tij. Është kjo ajo që besimtarët presin prej meshtarëve: shembullin e një devocioni të vërtetë për Eukaristinë, një lidhje të pashkëputur adhurimi para Jezu Krishtit në të Shenjtënueshmin Sakrament të Eukaristisë, sikur bënte Prifti i Arsit, Shën Gjoni Vianej”.
Këtu Papa në homelinë e tij nënvizoi vlerën e paçmueshme të trashëgimisë së përhershme dhe të gjallë që na la Krishti në Sakramentin e Korpit e të Gjakut të tij, trashëgimi që duhet rimenduar e rijetuar vazhdimisht me qëllim që, siç pati thënë Papa Pali VI, “Të vulosë me forcën e vet të pashtershme, të gjitha ditët e jetës sonë të vdekshme”. Pastaj Ati i Shenjtë Jozef Racinger u ndal tek rëndësia e uratës dhe Eukaristia në jetën e çdo besimtari dhe tha:
“Me Eukaristi pra qielli vjen mbi tokë, e nesërmja e Hyji ulet në të sotmen tonë e koha bëhët si e përqafuar nga hyjnia e amshuar”.
Pas Meshës së solemnitetit të Korpit të Krishtit, Ati i Shenjtë i prini procesioni eukaristik të besimtarëve romakë që përshkuan rrugën Merulana nga Laterani deri tek bazilika e Shën Marisë së Madhe.







All the contents on this site are copyrighted ©.