2009-06-10 16:17:21

Thirrja e ipeshkvijve evropianë për qeveritë e kontinentit: të mbrohen të varfërit nga kriza. Intervistë me kardinalin Peter Erdë


(10.06.2009 RV)RealAudioMP3 Kriza ekonomike botërore kërkon realizëm dhe besim. Kjo është bindja e ipeshkvijve evropianë, e shprehur në komunikatën e sotme të Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës, në përfundim të takimit të përgjegjësve për çështjet shoqërore, i cili u zhvillua në Zagreb të Kroacisë. Prelatët e vunë theksin në vëmendjen për të varfërit dhe në mbajtjen e premtimeve në favor të zhvillimit, të cilat nuk plotësohen nga shumë shtete. Ndër ata që folën në Zagreb është edhe kardinali kryeipeshkëv i Estergom-Budapestit, Peter Erdë, president i Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës. I kërkuam të na sqarojë vizionin e ipeshkvijve për krizën ekonomike botërore:
Para së gjithash, kemi të bëjmë me një problem global, prandaj edhe përgjigjia duhet të jetë globale, jo vetëm e një vendi, apo e një dioqeze e as vetëm e disa vendeve të pasura, por çdo përgjigje duhet të marrë parasysh krejt njerëzimin. Kjo është një pikë e rëndësishme e vëmendjes sonë. Pastaj, përpiqemi të sensibilizojmë opinionin publik, të forcojmë bashkëpunimin për drejtësinë e paqen ndërmjet të gjitha konferencave ipeshkvnore të kontinentit tonë, ta propozojmë këtë temë edhe në dialogun me Kishat e bashkësitë e tjera të krishtera të kontinentit, të bëjmë takime të rregullta me ipeshkvijtë përgjegjës për drejtësinë e paqen. Secila prej konferencave ipeshkvnore sjell përvojën e vet. Për shembull, në Itali është krijuar një fond për familjet që tani, si pasojë e krizës, e kanë të vështirë të paguajnë interesat e kredive. Përvoja jonë në Hungari është në nivelin e famullisë, ku disa persona marrin përsipër të pagujanë çdo muaj një shumë të caktuar në favor të nevojtarëve, e kështu me radhë.
Hirësi, në Zagreb kërkuat që jo vetëm Kroacia, por edhe vendet kufitare me të të integrohen sa më shpejt në Bashkimin Evropian…
Deri tani akoma nuk ka dalë asnjë deklaratë konkrete se si e kur do të bëhet kjo. Natyrisht, nëse ekziston një vend që është gati të integrohet në Bashkimin Evropian, ky është Kroacia, pasi aty me të vërtetë ndihesh në Evropë, në kuptimin e plotë të fjalës: kultura, por edhe mënyra e jetesës sot është e njëjtë me vendet e tjera të Bashkimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.