2009-06-10 17:56:20

Kriza ekonomike nuk e ndalon tregtinë e armëve


(10.06.2009 RV)RealAudioMP3 Ekziston një sektor që vazhdon të lulëzojë, pavarësisht nga problemet ekonomike. Është tregtia e armëve, e cila në vitin 2008 ka regjistruar shifrën rekord prej 1464 miliard dollarësh. Kështu del nga raporti vjetor i Institutit ndërkombëtar për kërkimin e paqes, me seli në Stokholm. Në vendin e parë për shpenzimet ushtarake janë SHBA-të, me 607 miliard dollarë. Përse tregu i armëve vazhdon të zhvillohet edhe në këtë periudhë të shënuar nga kriza globale? Përgjigjet në mikrofonin tonë Mauricio Simonçeli nga Arkivi italian i Çarmatimit:
Sepse gjatë këtyre viteve është bërë një politikë ndërkombëtare, që varet shumë prej klimës së krijuar nga lufta kundër terrorizmit. Njëkohësisht, kemi përjetuar një epokë, ku dukej sikur problemet do të zgjidheshin me përdorimin e forcës ushtarake. Fatkeqësisht, kjo lloj politike ka dhënë këto fryte e, sipas meje, do të shohim se edhe në vitet e ardhshme shpenzimet ushtarake do të rriten.
Duke ururar që të kemi skenarë botërorë pa konflikte, a është e mundur që një shtet të bëjë sot pa armë?
Objektivisht, përveç disa rasteve tepër të veçanta, sot nuk mund të mendohet për shtete të çarmatosura. Por, brenda këtij kuadri, mund të mendojmë për politika bashkëpunimi, që kanë për qëllim krijimin e lidhjeve në selitë ndërkombëtare, për të zbutur konfliktet. Kontingjentet ushtarake mund të jenë të dobishme si forca paqeruajtëse, por nuk duhet të jenë mjeti për zgjidhjen e problemeve, pasi lufta, herët a vonë, sjell tensione e konflikte të tjera.
Duhet edhe të zgjidhet kontrasti, gjithnjë e më i turpshëm, ndërmjet interesave ekonomike të shoqërive prodhuese të armëve dhe impenjimit të Bashkësisë Ndërkombëtare në përpjekjen për zgjidhjen e konflikteve…
Natyrisht. Ka interesa të mëdha, por ndër të tjera, duhet nënvizuar se fitimet e mëdha të ndërmarrjeve të sektorit ushtarak nuk sjellin menjëherë – siç është thënë gjithnjë – në rritjen e punësimit. Të dhënat në nivel ndërkombëtar tregojnë qartë se jemi përpara rritjes së fitimeve neto të këtyre ndërmarrjeve, por edhe para përmbajtjes e status kuosë të vazhdueshme të punësimit. Madje, në nivelin evropian, parashikohet që vitet e ardhshme, përkundrejt rritjes së shpenzimeve ushtarake, do të kemi 30 mijë vende pune më pak.







All the contents on this site are copyrighted ©.