2009-06-10 17:56:55

Benedikti XVI për jetëshkrimin e Gjon Skot Eriugjenit.


(10.06.2009 RV)Origjina e mendimtarit të madh të Perëndimit të krishterë, Gjon Skot Eriugjenit, është e panjohur. Dihet me siguri se ishte nga Irlanda, ku duhet të ketë lindur aty nga viti 800, por nuk dihet kur u largua nga Ishulli, për të kapërcyer La Manshin e për të bërë pjesë plotësisht në botën kulturore, që po lindte rreth Karolingëve, posaçërisht rreth Karlit të Shogët, në Francën e shekullit IX. Ashtu si nuk i dihet data e lindjes, nuk i njihet as ajo e vdekjes, por sipas studiuesve, duhet të ketë vdekur rreth vitit 870.
Gjon Skot Eriugjeni kishte një kulturë patristike, si greke, ashtu edhe latine, të klasit të parë, dmth njihte thellësisht etërit e Kishës së Lindjes e të Perëndimit të krishterë, e, sidomos, ishte njohës i përsosur i mendimit të Origjenit, të Gregorit të Nisës, të Gjon Gojartit e të Etërve të tjerë të perëndimit të krishterë, jo më pak të mëdhenj. Vëmendje të veçantë i kushtoi Shën Maksimit Rrëfyes e, mbi të gjitha, Dionisit Areopagit, shkrimtar kishtar i shekullit V, nga Siria, që mendohet të ketë qenë dishepull i Shën Palit, për të cilin flitet në ‘Veprat e Apostujve”. I bindur për karakterin apostolik të shkrimeve të Dionisit, burim i mendimit të tij, Gjon Skoti i përktheu veprat e Areopagitit në gjuhën latine, gjë që i bëri të njohura në gjithë botën e krishterë mesjetare.
Duhet thënë se puna e Gjon Skotit nuk pati shumë fat. Veprat e tij u zhyten në harresë jo vetëm për shkak të fundit të epokës karolinge, por edhe për shkak të cenzurës nga ana e autoriteteve kishtare, që e lanë krejt në hije figurën e tij madhore. Prej Gjon Skotit arritën deri në ditët tona disa vepra, ndërmjet të cilave meritojnë të kujtohen traktati “Mbi ndarjen e natyrës” dhe “ Paraqitje e hjerakisë qiellore, sipas Shën Dionizit”.
Sidoqoftë, ai i përket aradhes së figurave të mëdha që rilindin përsëri në mendimin njerëzor, edhe pas harresave të gjata.







All the contents on this site are copyrighted ©.