2009-06-09 16:50:36

Specialistë nga mbarë bota diskutojnë në Romë mbi gripin A/H1N1.


(09.06.2009 RV)Dje në Romë specialistë nga e gjithë bota u mblodhën në Institutin e Epërm të Shëndetësisë për të diskutuar për strategjitë dhe masat e marra kundër A/H1N1 siç njihet ndryshe gripi i derrave. Mbledhja, kryesuar nga zv/ministri italian i shëndetësisë Ferruço Facio, kishte si synim shqyrtimin nga afër të situatës.
Deri tani rastet e infektimit kanë përfshirë 73 vende të botës. Të infektuarit janë 25 mijë vetë, ndërsa viktimat 139. Këto shifra të Organizatës Botërore të Shëndetësisë tregojnë se sëmundja, ndonëse ngadalë, po vazhdon të përhapet. E pikërisht sot Ministria e Shëndetësisë së Egjiptit bëri të ditur se në Kajro u zbuluan pesë raste të reja: katër studentë amerikanë dhe një profesor, që të gjithë nga Universiteti Amerikan i Kajros.
Por le të dëgjojmë se si u shpreh në lidhje me këtë epidemi zëvendësministri italian Ferruço Facio:

“Tani për tani sëmundja është e lehtë, por ekziston mundësia – në teori, por që ka qenë gjithmonë – që një të nesërme kjo sëmundje të shartohet me epidemi të tjera, fjala vjen me gripin e pulave dhe të bëhet më agresive. Ne tani po zbatojmë një sërë masash për t’i vënë prag kësaj sëmundjeje. Dy janë mënyrat kryesore të transmetimit të saj: e para ajo që përcillet me anë të udhëtarëve dhe tjetra është ajo e fëmijëve në shkollë. Por një gjë është më se qartë: nuk është një vaksinë që mund të përmblidhet në një të vetme duke ia bashkangjitur gripit të zakonshëm. Them se këto vaksina do të jenë gati, pak a shumë, nga tetori.”







All the contents on this site are copyrighted ©.