Presidenti Topi, vlerëson rolin e shoqatës "Ambasadorët e Paqes" për ndërgjegjësimin
e të rinjve në aktivitetet social-kulturore
(09.6.2009 RV-ATSH)Presidenti i Republikës, Bamir Topi, vlerësoi dje rolin
gati dymbëdhjetëvjeçar të shoqatës "Ambasadorët e Paqes" për ndërgjegjësimin dhe përfshirjen
e të rinjve shqiptarë nga të gjitha krahinat e vendit, sidomos nga zonat veriore,
në aktivitetet social-kulturore, por dhe njohjen e tyre me aspektet më kryesore shoqërore
dhe ekonomike në vend. Zyra e shtypit e Presidencës bëri të ditur se Kryetari
i Shtetit priti sot, në Pallatin e Brigadave, përfaqësues të shoqatës "Ambasadorët
e Paqes". Ai u njoh me disa prej projekteve të veprimtarive dhe nismave të kësaj shoqate,
si "Kambana e Paqes, "Ishulli i Paqes", "Shkolla vjen tek unë" si dhe krijimi i rrjetit
ndërlidhës me misonarë të paqes në Kosovë. "Ky është një mision fisnik i njerëzimit,
i cili duhet të jetë një qëllim në vetvete edhe për shumë struktura të tjera shtetërore
dhe të shoqërisë civile, duke ndihmuar kështu të gjithë së bashku në edukimin dhe
formimin e plotë dhe me standarde të brezit të ri, që është mekanizmi më dinamik dhe
më shpresëdhënës për zhvillimin e mëtejshëm të vendit". Presidenti Topi iu
përgjigj interesimit të pjesëmarrësve në këtë takim për çështje të ditës, siç janë
problemet sociale në zonat rurale, arsimimi i fëmijëve dhe të rinjve, lufta kundër
fenomenit të gjakmarrjes, punësimi, vlerat e vërteta njerëzore, pjesëmarrja dhe roli
i brezit të ri në jetën shoqërore, etj.