2009-06-09 14:19:26

Ipeshkvijtë evropianë u kërkojnë europarlamentarëve të sapozgjedhur të mbrojnë drejtësinë e jetën


(09.06.2009 RV)“Europarlamentarët e rinj kanë për detyrë ta kthejnë Bashkimin Evropian në një shoqëri më të drejtë, të bazuar mbi respektimin e të drejtave të njeriut, mbi dinjitetin e personit, mbi bashkëpunimin e anasjelltë, solidaritetin e susidiaritetin, drejtësinë dhe mbrojtjen e jetës”. Kështu shkruhet në një notë të Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore Evropiane, për të cilin “nëse Bashkimi Evropian do të dijë t’u japë përgjigjet e duhura politike shqetësimeve dhe shpresave të qytetarëve evropianë, do t’i përgjigjet edhe vokacionit të vet fillestar”. Nota nënshkruhet nga kardinali Peter Erdë, president i Këshillit e primat i Hungarisë.
Por zgjedhjet evropiane, në të cilat fitoi Partia Popullore, pa arritur shumicën në parlament, u karakterizuan nga mospjesëmarrja. Është një rekord negativ, për të cilin i kërkuam një mendim Vëzhguesit të Përhershëm të Selisë së Shenjtë pranë Këshillit të Evropës, imzot Aldo Xhordano:
Dua të nënvizoj dy aspekte, në veçanti. I pari është se kjo denoncon mungesën e vetëdijes për rolin që Evropa duhet e mund të ketë në përballimin e sfidave botërore e në jetën konkrete lokale të qytetarëve. Vetëm një Evropë më e bashkuar e më e qëndrueshme mund t’u bëjë ballë kërkesave të mëdha të kohës. Aspekti i dytë: mospjesëmarrja denoncon edhe largimin faktik të qytetarëve nga institucionet. Prandaj, ka mungesë informacioni, por edhe besimi për ç’ka ndodh në nivel global, që duket pak e kontrollueshme. Kjo e dhënë duhet ta bëjë Evropën të reflektojë.
Imzot Xhordano, si e vlerësoni votën e katolikëve të Evropës?
Është e vështirë në këtë moment, por më duket se katolikët, nga njëra anë, janë shumë të ndjeshëm për disa tema, ai ajo e jetës për shembull, që për ne është vendimtare për të ardhmen e vetë njerëzimit, ose tema e familjes, që ne e konsiderojmë themelin e shoqërisë; një pjesë e madhe e katolikëve votojnë për persona, që garantojnë vëmendjen e tyre ndaj këtyre temave. Nga ana tjetër, e dimë se tradita katolike është shumë e lidhur me temën e solidaritetit. Katolikët besojnë në vëllazërimin universal e nuk i durojnë padrejtësitë, urinë në botë, prandaj votojnë për ata që janë të ndjeshëm ndaj këtyre temave. Këto dy prirje e kanë drejtuar votën e katolikëve, sipas meje.
Të krijohet përshtypja se Evropa nuk ka atë shpirt që të shërbejë si lidhje ndërmjet realiteteve të ndryshme kombëtare. Duket se Bashkimi Evropian bën një politikë që ka të bëjë pak me problemet e popujve…
Ndoshta ka tepër ideologji e kjo bën që të votohet për Evropën, duke menduar për situatat lokale. Do të duhej të flisnim sërish për atë ideal të Evropës, siç ishte në zanafillë. Të mendojmë për një Evropë, në gjendje të përballojë çështjet botërore me një vizion e perspektivë të caktuar, por në vend të kësaj, Evropa paraqitet si tepër burokratike, tepër e ndërlikuar. Kjo, natyrisht nuk entuziazmon popujt e aq më pak të rinjtë. Kemi vënë bast mbi gjëra të tjera dhe e kemi harruar se vijmë nga një traditë e jashtëzakonshme historike, kulturore e politike. Duhet ta pyesim veten si është vlerësuar ky vizion mbi njeriun, mbi shoqërinë e mbi marrëdhëniet ndërmjet popujve, që vjen nga drita e krishterimit. Duhet ta pyesim veten se si jemi sjellë me këtë dhuratë që na ka bërë historia e që mund të jetë vërtet perspektiva me të cilën Evropa të flasë me botën.







All the contents on this site are copyrighted ©.