Impenjimi i Kishave anglofone në luftën kundër abuzimeve ndaj të miturve
(09.06.2009 RV)Të premten e kaluar kryeipeshkvi i Dublinit, Diarmuid Martin
dhe ai i Armagut, Shon Brejdi u takuan me Papën Benedikti XVI dhe me gjashtë anëtarë
të Kuries Romake për të diskutuar me ta “Raportin Rajan”. Papa, deklaroi më pas imzot
Martin, u prek dhe u shqetësua dukshëm kur dëgjoi detajet e raportit, sidomos pjesën
ku përshkruhen vuajtjet dhe abuzimet mbi fëmijët. Shenjtëria e Tij theksoi se është
koha për një shqyrtim të thellë të jetës së Kishës në Irlandë, këshilloi që të nxirret
në dritë çdo abuzim e të sigurohet drejtësia për të gjithë. Kisha, nëse nga njëra
anë, duhet të ndihmojë viktimat, nga ana tjetër, duhet të punojë që këto ngjarje të
mos përsëriten më. Shkandulli i abuzimeve seksuale në Kishë është dënuar nga i
gjithë katolicizmi. Dalja hapur e Vatikanit dhe e Papës kundër problemit u dha guxim
viktimave të denoncojnë akte të paditura dhe Kishës të impenjohet më tej për t’u dhënë
fund abuzimeve. Pikërisht mbi këtë argument u fol pikërisht në Konferencën anglofone,
e cila nga 1 deri më 5 qershor mblodhi në Vatikan ipeshkvij, rregulltarë, rregulltare
e laikë. Kjo temë u bë veçanërisht e rëndësishme pas publikimit të një raporti qeveritar
në Irlandë, në të cilin u vunë në dukje abuzimet e kryera që nga vitet ’30 deri në
vitet ’90 në shumë institute korrektimi, të financuara nga shteti, por shpesh të administruara
nga urdhëra rregulltare katolike. “Ky takim – tha ipeshkvi i Rapid City, Bleiz
Xhei. Kupish, kryetar i Komisionit për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve në Konferencën
Ipeshkvnore katolike të SHBA-ve – u dha pjesëmarrësve mundësinë të konsultohen me
përgjegjësit e Vatikanit, të takohen me ekspertë në fushën e mbrojtjes së fëmijëve
e të marrin përvojë nga konferencat e tjera ipeshkvnore. Jemi të gjithë dakord se
duhet një plan, ku të përfshihet parandalimi, mbështetja dhe shërimi. Konferenca anglofone
– nënvizoi imzot Kupish, sipas lajmeve të “Catholic Neës Service” – ndihmon personat
që punojnë për Kishën të gjejnë mënyrat për të krijuar një ambient, në të cilin të
kenë besim ata që kanë pësuar abuzime. Është një çështje njerëzore, një problem njerëzor,
megjithëse duke më shumë në vendet e gjuhës angleze, ndoshta sepse komunikimi është
më i zhvilluar dhe më i hapur”. Organizata që grupon Kishat anglofone të impenjuara
në luftën kundër fenomenit të abuzimeve quhet “Zyra kombëtare për mbrojtjen e fëmijëve
dhe të të rriturve të pambrojtur”dhe që nga viti 2008 ka si seli Uashingtonin. Takimet,
që kanë filluar në vitin 2000, mbahen çdo vit. Këto ditë në Vatikan ishin të pranishëm
përfaqësues nga vendet ku flitet anglisht, por edhe nga Italia, Kili e Gana. Takimi,
i organizuar nga Konferenca Ipeshkvnore Skoceze, pati si titull “Të shohim përpara
– Sfidat që na presin”. “Fakti pozitiv – deklaroi kryeipeshkvi i Adelaides, Filip
Eduard Uilson – është se viktimat dolën në dritë dhe se në pranuam se abuzimet janë
pjesë ë historisë sonë dhe se po bëjmë ç’është e mundur për t’u bërë ballë pasojave
e për të siguruar një mënyrë të re për marrëdhëniet brenda Kishës”. Programet e Kishës
në këtë drejtim po zhvillohen gjithnjë e më tepër.