2009-06-08 17:33:30

Papa në Engjëllin e Tënzot të së Shenjtnueshmes Trini: çdo njeri ka brenda vetes gjurmën e Hyjit-Dashuri.


(08.06.2009 RV)RealAudioMP3 Mbarë gjithësia lëviz nën shtytjen e dashurisë së Hyjit: ky është thelbi i reflektimit që Papa u ofroi besimtarëve gjatë lutjes e Engjëllit të Tënzot të Solemnitetit të të Shenjtnueshmes Trini, kremtuar, si zakonisht, në Sheshin e Shën Pjetrit. Papa nënvizoi se në misterin trinitar, Jezusi na zbulon se Zoti është dashuri, një dashuri e kulluar, e pakufishme e amshuar.
Jezusi na zbuloi se Zoti është dashuri, jo dashuri e një Hyji të vetëm, por e tri vetjeve të barabarta e të veçuara, me të njëjtën substancë”: këtë theksoi Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot të të Shenjtnueshmes Trini. Trinia – shpjegoi Ati i Shenjtë – është Krijuesi e Ati i mëshirshëm, është Biri i vetëm, urtia e amshuar, që u bë njeri, vdiq e u ngjall për ne; është Shpirti Shenjt, i cili vë në lëvizje gjithçka, kozmos e histori, në një proces, që i çon të gjithë e gjithçka drejt përsosurisë së fundit:
“Tri Vetje që janë një Hyj i vetëm, sepse Ati është dashuri, Biri është dashuri, Shpirti Shenjt është dashuri. Hyji është krejtësisht e vetëm dashuri, dashuri e kulluar, e pakufishme e amshuar. Nuk jeton në vetmi të shndritshme, por është burim i pashterrshëm jete, që dhurohet e përçohet vazhdimisht”.
Mund ta marrim me mend në një farë mënyre – vijoi Benedikti XVI – duke vërejtur si makro-universin: tokën tonë, planetët, yjet, galaksitë; ashtu edhe mikro-universin: qelizat, atomet, grimcat fillestare:
“Të gjitha, në një farë mënyre, janë të vulosura me ‘emrin’ e së Shenjtnueshmes Trini, sepse e gjithë krijesa, deri tek grimcat më të vogla, është krijesë-në-realizim e kështu tejduket Hyji-marrëdhënie, tejduket, së fundi, Krijuesi- Dashuri. Gjithçka buron nga dashuria, shkon drejt dashurisë e lëviz nën shtytjen e dashurisë, natyrisht me gradë të ndryshme të vetëdijes e të lirisë”.
Por cili është identiteti i vërtetë i Hyjit, identiteti që ndrin mbi gjithësinë? Është dashuria - nënvizoi Benedikti XVI. Një dashuri e shkruar në shpirtin e çdo njeriu:
“Prova më e fortë se jemi krijuar sipas shembëlltyrës së Trinisë është kjo: vetëm dashuria na bën të lumtur, sepse jetojmë në marrëdhënie, jetojmë për të dashur e për t’u dashur. Duke përdorur një analogji të marrë nga biologjia, themi se njeriu ka në ‘genomën’ e vet gjurmë të thella të Trinisë, të Zotit-Dashuri”.
Më pas Benedikti XVI u kujtoi besimtarëve se ky solemnitet pasohet nga dy kremtime të tjera të mëdha: solemniteti i Korpit të Krishtit dhe festa e Zemrës së Krishtit. Secila nga këto tri festa liturgjike – shpjegoi Papa – vë në dukje një perspektivë, përmes së cilës rroket i gjithë misteri i fesë së krishterë: dmth përkatësisht realiteti i Zotit, që është një i vetëm, në tri vetje hyjnore, Sakramenti i Eukaristisë dhe qendra hyjnore-njerëzore e Vetjes së Krishtit:
“Janë, në të vërtetë, aspekte të të njëjtit mister shëlbimi, që në një farë mënyre përmbledhin gjithë rrugën e zbulesës së Jezusit, nga mishërimi, tek vdekja, ngjallja e deri tek të ngjiturit në qiell e tek dhurata e Shpirtit Shenjt”.
Në përfundim Papa iu lut Virgjërës Mari “pasqyrë e Trinisë së Shenjtnueshme, të na ndihmojë për të përforcuar besimin në misterin trinitar”.







All the contents on this site are copyrighted ©.