2009-06-06 14:59:59

Kisha është kërkuese me meshtarët për hir të dashurisë së Krishtit e të popullit të Zotit: kështu Papa me bashkësinë e Seminarit francez në Romë


(06.06.2009 RV)RealAudioMP3 Benedikti XVI priti sot në Vatikan bashkësinë e Seminarit francez në Romë. Institucioni, i themeluar prej mëse një shekulli e gjysëm nga Kongregata e Shpirtit Shenjt, i besohet tani Konferencës Ipeshkvnore Franceze. Në fjalën që mbajti para të pranishmëve në Sallën Klementina në Vatikan, Papa u ndal në detyrat e seminaristëve dhe të edukatorëve të tyre, si edhe përsëriti rëndësinë e shërbimit meshtarak për jetën e Kishës:
“La tâche de former des prêtres est une mission délicate...”  
“Detyra për të formuar priftërinjtë – theksoi Ati i Shenjtë – është një mision delikat”. Formimi që propozohet në seminare është kërkues, sepse meshtarëve të ardhshëm do t’u besohet populli i Zotit, “ai popull, që Krishti e shëlboi duke dhënë jetën e vet”. Prandaj, vazhdoi Papa, është mirë që seminaristët ta kuptojnë se Kisha është kërkuese ndaj tyre, sepse ata duhet të kujdesen më pas për njerëzit që u ka besuar Krishti. E Benedikti XVI rreshtoi sjelljet, që duhet të karakterizojnë meshtarin e ardhshëm:
“La maturité humaine, les qualités spirituelles...”
“Pjekuria njerëzore, cilësitë shpirtërore e akoma, zelli apostolik e përpikmëria intelektuale”. Papa theksoi se për të arritur në këto virtyte, është e rëndësishme që seminaristët të kenë përpara shembullin e edukatorëve të tyre. Përsëriti kështu, fjalët e kardinalit Suhar për ministrat e Krishtit:
“Eternel paradoxe du prêtre. Il porte en lui les contraires...”
“Paradoksi i përjetshëm i meshtarëve – tha Papa, duke cituar prelatin francez - bart mbi vete kundërshti: pajton, me çmimin e jetës, besnikërinë ndaj Zotit e ndaj njeriut”. Meshtari, thoshte kardinali Suhar, nuk ka në dorë mjete politike, as burime financiare apo forcën e armëve, forca e tij është pikërisht se nuk ka armë, por mund të bëjë gjithçka në Krishtin. “Këto fjalë që evokojnë kaq mirë Famullitarin e Shenjtë të Arsit – uroi Benedikti XVI, duke përmendur shenjtin në bazë të Vitit meshtarak, që do të fillojë më 19 qershor – të tingëllojnë si thirrje vokacionale për shumë të rinj të krishterë francezë, që dëshirojnë një jetë të dobishme e të frytshme në shërbim të dashurisë së Zotit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.