2009-06-06 14:09:27

Editorial i Atë Federiko Lombardit: “Jo ndeshjes ndërmjet qytetërimeve”


(06.06.2009 RV)RealAudioMP3 Java e kaluar u karakterizua politikisht nga vizita e presidentit amerikan Barak Obama në Lindjen e Mesme, posaçërisht në Arabinë Saudite dhe në Egjipt, e më pas në Evropë, në Gjermani e Francë. Edhe në konferencën e fundit të shtypit, mbajtur sëbashku me presidentin francez Nikolas Sarkozì, Obama përsëriti impenjimin amerikan për zgjidhjen e konfliktit ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve, me krijimin e dy shteteve; paralajmëroi Iranin dhe Korenë e Veriut se bashkësia ndërkombëtare nuk do t’i lejojë të kenë armë bërthamore dhe shprehu mendimin se Turqia duhet të hyjë në Bashkimin Evropian. Pa dyshim, çasti kulmor i vizitës së tij ishte fjalimi i mbajtur në Kajro për marrëdhëniet ndërmjet Perëndimit dhe botës islamike. Të dëgjojmë komentin e zëdhënësit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, i cili është edhe drejtori i përgjithshëm i Radios sonë:
Gjatë viteve të kaluara është folur shumë për rrezikun e ndeshjes së qytetërimeve, në veçanti për ndeshjen ndërmjet botës myslimane dhe asaj perëndimore, pas 11 shtatorit. Kisha Katolike ka qenë gjithnjë vendosmërisht kundër këtij interpretimi të realitetit botëror, duke u përqëndruar në mirëkuptimin e anasjelltë ndërmjet popujve, kulturave e feve e duke u impenjuar aktivisht që kundërshtitë e keqkuptimet të mos thellohen e të mos shkaktojnë fillimin e konflikteve e të luftës. Që këtej, linja e dialogut ndërfetar dhe kërkimi i vazhdueshëm i paqes. Udhëtimi i fundit i Papës në Tokën Shenjte ishte tregues shembullor për këtë.
Tani, edhe fjalimi i Presidentit amerikan Obama në Kajro, që ka për qëllim të vendosë marrëdhënie të reja ndërmjet Amerikës dhe botës myslimane, shkon në këtë drejtim e shton në horizontin botëror një element shprese. Pesha e padyshimtë politike e SHBA-ve përdoret qartë për arritjen e disa objektivave, që janë tepër të rëndësishme për paqen në botë. Impenjimi për zgjidhjen e konfliktit ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve, pohimi, jo vetëm i nevojës së mospërhapjes së armëve bërthamore, por edhe më tej, ai i çarmatimit bërthamor për të gjitha kombet. E më pas, kuadri më i gjerë i lirisë fetare, i dinjitetit të gruas, i demokracisë dhe i zhvillimit të popujve. Janë drejtime, për të cilat shumë persona vullnetmirë dëshirojnë të bashkëpunojnë për të gjetur rrugët e drejta, ku të ecë njerëzimi e ku, urojmë të takohen edhe ata që besojnë në Zotin krijues dhe mirëdashës të paqes.







All the contents on this site are copyrighted ©.