2009-06-05 16:12:03

Obama: është ora e paqes në Lindjen e Mesme


(05.06.2009 RV)RealAudioMP3 Në Lindjen e Mesme po bie ora e paqes: presidenti amerikan Barak Obama pohoi se “tani është çasti” për të vepruar, që të arrihet në zgjidhjen përfundimtare, të bazuar mbi dy shtete, një izraelit e tjetri palestinez.
Obama, që akutalisht ndodhet në Gjermani, mbajti sot një konferencë të përbashkët shtypi me kancelaren Angela Merkel. Ai nënvizoi se me fjalimin në Kajro, SHBA-të krijuan atmosferën e përshtatshme për rifillimin e bisedimeve, por shtoi edhe se secili duhet të luajë rolin që i takon, pasi Amerika nuk mund ta imponojë paqen. Në veçanti, sipas Obamës, palestinezët duhet të zgjidhin problemet e tyre të brendshme dhe izraelitët duhet të ndalojnë shtrirjen e ngulimeve hebraike në Çisjordani.
Përsa i përket frontit iranian, Obama siguroi se SHBA-të janë gati për një dialog serioz me Teheranin, i cili duhet të zhvillohet në lidhje të vazhdueshme me grupin e ndërmjetësuesve “5+1”, ku marrin pjesë anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së plus Gjermania.
Në fund, presidenti amerikan u tregua optimist për rolin e SHBA-ve në përmirësimin e ndryshimeve të klimës, shkaktuar nga njeriu. Ai premtoi se do t’i bashkojë forcat me Evropën, e cila po bën hapa të mëdha përpara në këtë drejtim.
Pasdite, Barak Obama vizitoi ish-kampin e përqëndrimit nazist të Bukenvaldit. Në një intervistë për një televizion gjerman, duke kujtuar pretendimet e presidentit iranian, Ahmadinexhad se Holokausti i Luftës II Botërore nuk ekziston, Obama komentoi: “Le të shkojë në Bukenvald. Nuk kam durim me ata që mohojnë historinë. E historia e shfarosjes së hebrenjve nuk është aspak hipotezë”.
Në mbrëmje, presidenti amerikan u transferua në Francë për të marrë pjesë në kremtimet për zbarkimin e aleatëve në Normandi, gjatë Luftës II Botërore.








All the contents on this site are copyrighted ©.